SHBA miraton shitjen e 48 avionëve “F-35” për Arabinë Saudite

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 18 shtator, Zhurnal.mk – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar shitjen e mundshme të 48 avionëve luftarakë “F-35” Arabisë Saudite, në një marrëveshje që vlerësohet në rreth 24,3 miliardë dollarë.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ka miratuar shitjen e mundshme të avionëve, së bashku me pajisjet dhe shërbimet mbështetëse.

Sipas deklaratës amerikane, marrëveshja synon të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Uashingtoni e konsideron Arabinë Saudite një aleat të rëndësishëm të SHBA-së, edhe pse jo anëtar të NATO-s, dhe argumenton se forcimi i kapaciteteve të saj mbrojtëse mund të kontribuojë në stabilitetin politik dhe ekonomik të Gjirit.

Departamenti i Shtetit deklaroi gjithashtu se shitja e propozuar nuk do të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

Megjithatë, furnizimi me “F-35” do t’i jepte Arabisë Saudite një kapacitet të avancuar luftarak që aktualisht në Lindjen e Mesme e posedon vetëm Izraeli.

Ambasada saudite në SHBA e përshëndeti vendimin, duke thënë se marrëveshja pasqyron forcën dhe karakterin afatgjatë të partneritetit strategjik mes Riadit dhe Uashingtonit dhe avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar në nëntor se SHBA ishte e gatshme t’ia shiste “F-35” Arabisë Saudite.

Deklarata erdhi në prag të vizitës në Uashington të princit të kurorës saudite Mohammed bin Salman.

Vendimi vjen në një periudhë tensionesh të shtuara të sigurisë në rajon.  Rebelët Houthi e lidhur me Iranin kanë intensifikuar sulmet ndaj Arabisë Saudite gjatë përshkallëzimit të konfliktit në Jemen, ndërsa mbretëria është përballur gjithashtu me sulme që vijnë nga Iraku.

“F-35” konsiderohet një nga avionët luftarakë më të avancuar në botë.

Dizajni i tij dhe materialet speciale të përdorura në sipërfaqen e avionit e bëjnë atë më të vështirë për t’u zbuluar nga radarët.

Avioni përdoret nga disa vende aleate të SHBA-së, përfshirë Gjermaninë, e cila e ka përfshirë në kapacitetet e saj të ndarjes bërthamore të NATO-s.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër