Shefja e re e PTHP NKOK paralajmëron ndjekje më të vendosur të lëndëve me interes publik

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Shefja e sapozgjedhur e Prokurorisë themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit (PTHP NKOK) Iskra Haxhi Vasileva porositi se prioritete të saj kryesore do të jenë ndjekja penale efikase, puna efikase e prokurorisë dhe shfrytëzimi maksimal i resurseve të disponueshme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pas dhënies së sotme të deklaratës solemne para Këshillit të prokurorëve publikë, Haxhi Vasileva theksoi se prioritetet e saj tashmë janë përcaktuar dhe se gjendja në fushën e kompetencave të prokurorisë është e njohur mirë për të.

“Prioritetet janë të qarta, ndjekje efikase penale, efikasitet në punën tonë dhe shfrytëzim maksimal të resurseve që na janë vënë në dispozicion. Jemi të vetëdijshëm se ato janë të kufizuara në disa aspekte, por do të përpiqemi të sigurojmë më shumë resurse dhe shfrytëzim sa më efikas të atyre ekzistuese, me qëllim arritjen e rezultateve më të suksesshme”, deklaroi Haxhi Vasileva.

Duke u përqëndruar në vlerësimet në raportin e fundit të Komisionit Evropian se nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit, shefja e re PTHP NKOK tha se është e vetëdijshme për sfidat që i bart konteksti aktual.

“Do të përpiqemi të ofrojmë ndjekje më efikase dhe më vendimtare penale aty ku është më e nevojshme, respektivisht në raste dhe situata që prekin vërtet interesin publik dhe që janë me rëndësi për të gjithë ne, për qytetarët dhe për shoqërinë në tërësi”, tha Haxhi Vasileva.

Haxhi Vasileva u zgjodh shefe e PTHP NKOK në zgjedhjet e mbajtura më 28 tetor të këtij viti, duke fituar 64 vota nga gjithsej 171 fletëvotime të vlefshme. Pesë prokurorë publikë u kandiduan për këtë pozicion: Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski.

Gjatë prezantimit të programit para Këshillit të prokurorëve publikë, ajo theksoi se fokusi i PTHP NKOK duhet të orientohet drejt luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dukuri që prishin interesin publik, qetësinë e qytetarëve dhe progresin shoqëror.

Zgjedhja u realizua për shkak të skadimit të mandatit të shefit aktual të PTHP NKOK, Islam Abazi, i cili u zgjodh në këtë pozicion në tetor të vitit 2022.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër