Shehu: Procesi në Hagë një farsë, duan të tjetërsohet e vërteta historike

nga D. V.

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu vlerësoi sot në Kuvend nismën për miratimin e një deklarate të përbashkët ku dënohet gjenocidi serb në Kosovë.

Shehu ishte bashkëhartues i projekdeklaratës së bashku me deputetin e Partisë Socialiste dhe kreun e Komisionit të Jashtëm, Igli Hasani.

Gjatë fjalës në foltoren e Kuvendit, Shehu tha se kjo është një betejë e gjatë që PD po e bën prej vitesh për të miratuar një rezolutë ku të dënohen krimet e njerëzimit që janë kryer në Kosovë.

“Sepse Kosova nuk mund ta realizojë një proces të tillë meqë nuk është anëtare e OKB-së. Ne sot miratojmë një dokument shumë të rëndësishëm. Ishin rrethanat që krijuan kushtet që edhe PS ta miratojë këtë rezolutë, si pasojë e procesit të inskenuar në Hagë ku kërkohet të dënohen ata që luftuan për liri, për drejtësi, për pavarësi, ata që luftuan së bashku me NATO-n dhe me gjithë shtetet perëndimore kundër atij gjenocidi, pastrimi etnik të realizuar nga makina e Millosheviçit”, tha Shehu.

Deputeti i PD-së tha se “ishte kjo luftë që solli pavarësinë e Kosovës”.

“Ishte kjo luftë, e cila bëri të mundur krijimin e kushteve për një stabilitet të ri për rajonin tonë. Çdo tendencë për të njollosur këtë luftë bie ndesh me të vërtetën, me vlerat dhe historinë, me stabilitetin e rajonit, me interesat e shqiptarëve, duke vënë në rrezik dhe stabilitetin evropian”, vijoi ai.

Shehu tha se është detyrë sublime e Kuvendit që të miratojë këtë deklaratë dhe të denoncojë një proces farsë që realizohet në Hagë dhe që kërkon të tjetërsojë të vërtetën historike duke qenë në krahë të atyre që luftuan për liri.

“Na takon neve, Kuvendit të Shqipërisë të miratojmë një deklarim të tillë”, tha Shehu.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More