Shënkolli drejt transformimit në strukturë shëndetësore për të dënuarit, 2,84 miliardë lekë investim

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, inspektuan kushtet e trajtimit të 451 personave me masë mjekësore në Shënkoll.

Gjatë vizitës, Gogu bëri të ditur se ka nisur procesi i transformimit të institucionit penitenciar në një strukturë të mirëfilltë të kujdesit shëndetësor, me synimin për të garantuar trajtim të specializuar, kujdes dinjitoz dhe respektimin e të drejtave të pacientëve.

“Për t’i garantuar këto të drejta, kemi nisur transformimin e institucionit penitenciar në një strukturë të kujdesit shëndetësor. Me një investim të parashikuar prej rreth 2,84 miliardë lekësh në fazën e parë, projekti përfshin ndërtimin e një kompleksi të ri spitalor, me kushte bashkëkohore për trajtimin psikiatrik, diagnostikimin dhe kujdesin shëndetësor”, tha ai.

Ministri i Drejtësisë theksoi se “ky është një investim në shëndetin dhe dinjitetin e pacientëve, që të drejtat e tyre të garantohen çdo ditë, në përputhje me standardet europiane”.

Nga ana e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu e cilësoi vendimin e miratuar në tetor 2026, si një hap të rëndësishëm në garantimin e të drejtave themelore të njeriut.

“VKM e miratuar në tetor e vitit 2026 e Ministrisë së Shëndetësisë mendoj se është një nga veprimet më të drejta dhe nga rekomandimet me të drejta të dhëna nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, sepse në fund të fundit trajtimi shëndetësor edhe i personave që mund të ketë një dënim është një e drejtë themelore e njeriut”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura