Ekipet shqiptare të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut po vazhdojnë me intensitet ndeshjet kontrolluese në kuadër të përgatitjeve dimërore, në prag të fillimit të sezonit pranveror.
Kampioni i vendit, Shkëndija e Tetovës, ka shënuar fitore të rëndësishme në përgatitjet që po i zhvillon në Antalia të Turqisë. Kuqezinjtë triumfuan ndaj ekipit të Sarajevës me rezultat 3:2. Skuadra boshnjake kaloi e para në epërsi me golin e Beganoviqit në minutën e 12-të, por Shkëndija reagoi shpejt. Besart Ibraimi barazoi nga pika e bardhë në minutën e 16-të, ndërsa në minutën e 33-të realizoi golin e dytë personal për përmbysje të rezultatit. Në pjesën e dytë, Spahiu në minutën e 56-të shënoi për 3:1, ndërsa Sarajeva arriti vetëm të ngushtojë rezultatin në 3:2, duke vendosur edhe shifrat përfundimtare të takimit.
Fitore bindëse ka shënuar edhe Bashkimi i Kumanovës, i cili po zhvillon përgatitjet në Medulin të Kroacisë. Bashkimi mposhti ekipin kroat Prva Iskra Bariq me rezultat të thellë 5:2. Golat për kumanovarët i realizuan David Manasievski, Luis Ribeiro si dhe Arnel Hoxhiq, i cili shënoi tre herë. Ndeshjen e radhës kontrolluese në Medulin, Bashkimi do ta zhvillojë ndaj ekipit rumun Muscelul.
Ndërkohë, ekipi i Arsimit zhvilloi një ndeshje miqësore në shtëpi, ku e mposhti skuadrën e Teteksit me rezultat 4:1. Golat për Arsimën u shënuan nga Malik Bejuli, Sikiru Olatunbosun, Shefit Shefiti dhe Remzifaik Selmani. Arsimi tashmë ka përfunduar fazën bazike të përgatitjeve, të cilat i zhvilloi në Medulin të Kroacisë, ndërsa së fundmi ka prezantuar edhe përforcimet e reja: futbollistin me përvojë Xhelil Abdulla, si dhe reprezentuesin e Ugandës, Bajo, i cili vjen si huazim nga skuadra e Vardarit.

