Shkup, 21 gusht, Zhurnal.mk – Para fillimit të vitit të ri shkollor, Ministria e Ekonomisë dhe Punës i ka dorëzuar Qeverisë një propozim-vendim për vendosjen e një “shporte shkollore”, me zbritje deri në 15 përqind për pajisjet shkollore.
“Shporta shkollore, në konsultim me tregtarët me shumicë dhe pakicë që shesin pajisje shkollore, është pranuar si një model i përshtatshëm dhe praktik për uljen e shpenzimeve të prindërve para fillimit të vitit të ri shkollor. Përbërja dhe çmimi përfundimtar i shportës do të ndryshojnë nga një tregtar te tjetri, në varësi të përzgjedhjes, cilësisë dhe markës së produkteve”, bëjnë të ditur nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.
Produktet që do të përfshihen në të ashtuquajturën shportë shkollore do të jenë të shënuara dhe të vendosura në vende të dukshme, me çmime të qarta. Zbritja do të llogaritet në arkë dhe do të paraqitet në kuponin fiskal.
Nga ministria përkatëse informojnë se propozim-vendimi i është dorëzuar Qeverisë dhe do të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë të martën, pas së cilës do të merret vendim për miratimin dhe zbatimin e tij.
“Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë të martën do të marrim vendim për krijimin e shportës shkollore. Mendoj se, brenda mundësive, kjo do të jetë tërheqëse si për prindërit, ashtu edhe për nxënësit. Të martën kemi mbledhjen e rregullt të Qeverisë dhe kjo do të miratohet si vendim”, konfirmoi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës së tij në Prilep.
Në kuadër të shportës shkollore pritet të përfshihen çanta, fletore, lapsa, markera, blloqe vizatimi dhe produkte të tjera bazë shkollore që zakonisht blihen para fillimit të vitit shkollor.
