Shqipëria mbyll nesër kapitullin e katërt të negociatave me BE-në, Kos: Zgjerimi po ecën përpara

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 12 tetor, Zhurnal.mk – Shqipëria pritet të mbyllë nesër në Luksemburg negociatat për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale”, duke shënuar një tjetër hap në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE do të zhvillohet pas miratimit të vendimit nga përfaqësuesit e shteteve anëtare në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER). Me këtë zhvillim, Shqipëria mbyll përkohësisht katër nga 33 kapitujt e negociatave.

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, u shpreh sot se, janë parashikuar katër konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën, duke e cilësuar këtë si dëshmi se procesi i zgjerimit të BE-së po ecën përpara.

“Pas vendimit të shteteve anëtare, tashmë kemi perspektivën e mbajtjes së katër konferencave ndërqeveritare me Malin e Zi, Shqipërinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo do të jetë hera e tretë që nga qershori që do të zhvillohen 4 konferenca ndërqeveritare në të njëjtën kohë”, tha Kos.

Komisionerja theksoi se, “kjo është një shenjë e qartë se procesi i zgjerimit po ecën përpara. Vendet që kryesojnë këtë proces po përmbushin angazhimet e tyre dhe ne po bëjmë pjesën tonë”.

Kapitulli 20 përfshin politikat për zhvillimin e sipërmarrjes dhe industrisë, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimin e klimës së investimeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër