Tiranë 16 korrik Zhurnal.mk – Shqipëria ka nisur përgatitjet ligjore për adoptimin e monedhës euro. Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik, përfshin për herë të parë një kapitull të veçantë që rregullon funksionimin e Bankës së Shqipërisë pas anëtarësimit të vendit në Eurozonë, raportoi A2.
Sipas projektligjit, nga dita kur euro të prezantohet si monedha zyrtare e Republikës së Shqipërisë, ajo do të bëhet njësia monetare e vendit, duke zëvendësuar lekun.
Dokumenti përcakton se Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane (BQE).
Po ashtu, Banka e Shqipërisë do të ketë kompetencën të përcaktojë dizajnin kombëtar të monedhave metalike euro që do të emetohen nga Shqipëria, duke respektuar standardet e Bashkimit Evropian.
Shqipëria gjatë kësaj jave mbylli tre kapitujt e parë negociues për anëtarësim në BE. I kanë mbetur edhe 30.
