Shteti kërkon kthimin e subvencioneve të vitit 2024 nga disa duhanprodhues

Nga B.M
683 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 maj, Zhurnal.mk – Një lajm i keq ka mbërritur nga shteti për duhanprodhuesit, të cilëve po u kërkohet të kthejnë paratë e subvencioneve për prodhimin e vitit 2024, të paguara në vitin 2025.

Në kërkesat e dërguara nga Agjencia e Pagesave në adresat e duhanprodhuesve të cilëve po u kërkohet të kthejnë paratë e subvencioneve për prodhimin e vitit 2024, të paguara në vitin 2025. Për ta bërë situatën edhe më të rëndë, këto para duhet të paguhen në llogarinë e Agjencisë së Pagesave brenda 15 ditëve nga pranimi i vendimit, shkruan “Nezavisen”.

Arsyetimi i Agjencisë së Pagesave është se 91 duhanprodhues duhet të kthejnë para nga subvencionet në vlerë prej mbi 20 milionë denarësh, pasi një sasi të duhanit e kanë prodhuar realisht, ndërsa një tjetër më të lartë e kanë paraqitur për të marrë subvencione më të mëdha.

Vendimet e dorëzuara kanë shkaktuar revoltë dhe konfuzion tek duhanprodhuesit, të cilët tashmë dy muaj po presin subvencionet për prodhimin e fundit. Një pjesë e duhanprodhuesve, megjithatë, e arsyetojnë Agjencinë e Pagesave duke thënë se paratë e fituara padrejtësisht duhet të kthehen.

Rrjeti Kombëtar Bujqësor, president i të cilit është Gjeorgji Karakashev, dërgoi një komunikatë për opinionin publik duke kërkuar përgjigje nga Agjencia e Pagesave dhe Ministria e Bujqësisë se përse u janë dërguar kërkesa me shkrim duhanprodhuesve për kthimin e mjeteve.

“Sipas informacioneve nga terreni, tek anëtarët e Rrjetit Kombëtar Bujqësor dhe tek bujq të tjerë po arrijnë njoftime me shkrim nga Agjencia e Pagesave me të cilat kërkohet kthimi i parave të marra për duhanin e dorëzuar nga prodhimi i vitit 2024.

Kjo krijon situatë të pakëndshme dhe pasiguri tek prodhuesit në një periudhë kur mjetet tashmë janë investuar në prodhimin e ri. Rrjeti Kombëtar Bujqësor u bën thirrje publike institucioneve kompetente të japin përgjigje të saktë dhe publike mbi bazën e së cilës kërkohet kthimi i këtyre mjeteve. RKB thekson se bujqit meritojnë ta dinë të vërtetën për këtë vendim, veçanërisht pasi bëhet fjalë për një të drejtë ligjore për subvencionim”, reaguan nga RKB.

Në komentet në rrjetet sociale, bujqit shkruajnë: “Mungesa e parave në buxhet e detyroi Cvetançon të fusë dorën edhe në xhepin e duhanprodhuesve”, “Mos na hidhni hi syve me spec djegës, bllokadat janë afër”, “Kjo është vetëm mënyrë për të mos i paguar subvencionet.”

Duhanprodhues të tjerë, megjithatë, mbështesin që nëse nuk janë paraqitur realisht sasitë e dorëzuara të duhanit, paratë duhet të kthehen në arkën e shtetit dhe të paguhen subvencionet për këtë vit.

“Për sipërfaqe të paraqitura, por të pambjella me duhan dhe me kultura të tjera, kanë marrë subvencione në mënyrë të paligjshme, tani do t’i kthejnë”, thonë duhanprodhuesit.

Pas reagimeve të shumta, me komunikatë doli edhe Agjencia e Pagesave, e cila është përgjegjëse për pranimin e kërkesave për pagesën e subvencioneve, përpunimin e tyre, realizimin e kontrolleve administrative dhe në terren, si dhe pagesën e mjeteve. Nga Agjencia thonë se pretendimet e duhanprodhuesve se nuk e dinë pse u kërkohet kthimi i parave nuk janë të sakta, pasi në çdo vendim është theksuar saktësisht ku dhe në çfarë përqindjeje ndryshon ajo që ka deklaruar bujku nga gjendja reale në terren.

“Me kontrollet e fundit të realizuara për nënmasën 1.9, pagesa direkte për duhan oriental, aromatik dhe të papërpunuar të kontraktuar dhe shitur nga prodhimi i vitit 2024, nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural për vitin 2025, janë konstatuar dallime tek 91 duhanprodhues. Sipas Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, janë përgatitur vendime për kthimin e mjeteve në shumë totale prej 20,9 milionë denarësh”, thuhet në komunikatën e Agjencisë së Pagesave.

Nga aty theksojnë se për të qenë të sigurta në vendimet e marra, janë bërë kontrolle shtesë ku është konstatuar se tek një pjesë e duhanprodhuesve dallimi ndërmjet kapaciteteve të deklaruara dhe atyre të konstatuara në terren është më i madh se 30 për qind.

Agjencia e Pagesave përgjegjësinë për këtë situatë ua adreson vetë duhanprodhuesve, duke theksuar se vetë bujqit nuk i plotësojnë realisht aplikimet dhe në këtë mënyrë e vënë në pikëpyetje ndihmën shtetërore për subvencione.

“Shpresojmë që edhe shoqatat e bujqve nga të gjitha sektorët e dinë, janë të informuara dhe duhet me kohë t’i informojnë anëtarët e tyre se subvencionet nuk lidhen me prodhimin, por me kapacitetet e deklaruara gjatë vitit aktual 2025”, theksojnë nga Agjencia.

Përndryshe, subvencionet për duhanprodhuesit, si prodhuesit më të shumtë në shtet, zakonisht paguhen në muajin prill, por këtë vit ende nuk ka pagesë për prodhimin e fundit. Duhanprodhuesit çdo ditë pyesin kur paratë do të transferohen në llogaritë e tyre, por deri tani nuk ka paralajmërime konkrete.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër