Shkup, 14 dhjetor – Jeta në konvikt të studentëve është një realitet për një numër të madh të qytetarëve të ardhshëm akademikë nga qytetet më të vogla, të cilët vitet e arsimimit i kalojnë në Shkup. Akomodimi shpesh ka qenë një sfidë, madje edhe një aventurë në luftën për akomodim të denjë, ushqim cilësor, ujë të ngrohtë apo një tualet të pastër. Ekipi i Meta.mk këto ditë vizitoi disa konvikte të studentëve, i pa kushtet në të cilat jetojnë studentët në Maqedoni dhe bisedoi me disa prej tyre, transmeton Portalb.mk.
I pyetëm studentët dhe punonjësit për kushtet dhe jetën në tre konviktet që për momentin janë në funksion, “Goce Dellçev”, “Tome Stefanovski–Seniq” dhe “Pellagonia”. Studentët thonë se në konvikte ka përmirësime, edhe pse dëshirojnë kushte edhe më të mira, të cilat sipas tyre, duhet të realizohen më shpejt dhe më shpesh.
Studentët në konviktin “Tome Stefanovski – Seniq” thonë se në përgjithësi janë të kënaqur me kushtet, por theksojnë edhe disa probleme që vazhdojnë të ndikojnë në jetën e tyre.
“Tashmë katër vite po qëndroj në këtë konvikt dhe jam e kënaqur me kushtet. Dhomat kanë tualet dhe ujë të ngrohtë, në dimër është ngrohtë dhe ushqimi përgatitet i freskët”, thotë një studente. Ajo mendon se atmosfera është natyrale dhe pozitive, ndërsa banorët shumëvjeçarë thonë se konvikti ka shpirt.
Drejtori i konviktit, Ivan Simonovski, thotë se udhëheqësia është e vetëdijshme për sfidat dhe po punon në mënyrë aktive për të bërë përmirësime.
“Bojlerët e vjetër i zëvendësuam me të rinj”, tha ai, ndërsa sa i përket ushqimit, ai shton se kanë një menu me ushqim të larmishëm dhe cilësor, i cili ndryshon çdo javë. Sa i përket ngrohjes, Simonovski thekson se Seniq furnizohet përmes ESM Energetika dhe rrallë herë ndodh që të mos ketë ngrohje qendrore, si dhe shton se edhe kur ndodh ata reagojnë menjëherë.
Si problem një pjesë e studentëve e theksojnë mungesën e higjienës në korridore. Sipas tyre, disa studentë lënë plehra dhe ushqim për mace në korridore, gjë që shkakton erë të keqe dhe disave prej tyre u pengon. Një problem i shpeshtë, thonë ata, është edhe fakti që duhet të marrin me vete karriget e tyre në sallën e leximit, sepse nuk ka mjaftueshëm.
“Kjo paraqet një barrë shtesë gjatë sesionit të provimeve”, thotë njëri nga studentët.
Sipas drejtorit problemi kryesor është infrastruktura e vjetërsuar, por thekson se konvikti është në fazën përgatitore për rikonstruksion dhe pritet që rinovimi të përfundojë deri në vitin akademik 2027. “Qëllimi është që studentët të bëhen me një hapësirë moderne, funksionale dhe dinjitoze”, tha ai.
Komente pozitive ka edhe për komunikimin me drejtuesit e konviktit. Studentët thonë se drejtori dhe këshilli i banorëve janë të hapur për dëgjim dhe kritika, ndërsa punonjësit janë të sjellshëm dhe të përkushtuar.Por, ka edhe mendime ndryshe.
“Që nga viti i kaluar nuk ka pasur takime me drejtorin ose këshillin, shpresoj se këtë vit do të jetë më mirë”, thotë një banor. Një banor tjetër thekson se jo çdo punonjës i kushton vëmendje të mjaftueshme përmirësimit të kushteve të jetesës. Të tjerë theksojnë se kohët e fundit është zgjedhur një këshill i ri i banorëve, i cili tashmë ka mbajtur seancën e tij konstituive. Simonovski thotë se komunikimi me këshillin e ri është i rregullt dhe konstruktiv, ndërsa deri më tani janë realizuar disa iniciativa me kërkesë të studentëve.
Edhe krahas vërejtjeve studentët në përgjithësi vlerësuan se kushtet e jetesës janë të kënaqshme dhe se përmirësimet janë të dukshme.
Në konviktin e studentëve “Pellagonia” biseduam me studentët për rastin e fundit kur në objekt u shfaqën brejtës. Ata thonë se problemi është raportuar tek shërbimet dhe ata kanë reaguar shpejt.
“Nga ajo ditë nuk kemi parë më brejtës, por unë ende mendoj se duhet bërë një dezinfektim dhe deratizim i detajuar”, theksoi një student.
Drejtori Orhan Aliu thotë se shfaqja e brejtësve nuk ishte një incident i izoluar, por ishte pasojë e gjendjes në qytet.
“E njëjtë ishte situata në Shkup. Problemi u zgjidh, ndërsa ne çdo muaj bëjmë deratizim”, shpjegoi ai. Ai shtoi se mbeturinat rreth kontejnerëve janë pastruar dhe pret që të mos përsëritet një situatë e tillë. Ai thotë se është e mundur që dikush t’u ketë thënë studentëve “a keni frikë nga minjtë”, por edhe se kjo ka ndodhur vetëm në një dhomë, prandaj mendon se e gjithë situata është ekzagjeruar.
Për problemin me brejtësit reaguan edhe nga platforma “Studentarija”, e cila përcolli dëshmi se studentëve u ishin dhënë helme që të përballen vetë me situatën. Drejtori sqaroi se raportimi i rastit ishte në mbrëmje, prandaj ju dha helm “vetëm si masë urgjente”.
Studentët thonë edhe se u mungon uji i ngrohtë, parkingu dhe hapësirat për shoqërim. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës presin më shumë vëmendje dhe investime.
“Do të ishte mirë nëse me ndihmën e MASH-it të bëheshin investime afatgjata”, thanë ata.
Drejtori është i mendimit se në përgjithësi kushtet janë solide, ndërsa sa i përket ushqimit ai thotë se nuk ka ankesa, ndërsa problemi më i madh është vjetërsia e ndërtesave dhe gypave.
“Kushtet nuk janë të këqija, janë solide. Çdo dhomë ka ngrohje dhe ujë të ngrohtë, ndërsa për higjienën brenda janë përgjegjës studentët. Për ushqimin nuk kemi marrë ankesa, përkundrazi, më shpesh ka pasur lëvdata. Për ne ushqimi dhe higjiena janë pika jonë më e fortë. Ndërtesat janë mjaft të vjetra, kanë gypa të vjetër, por i zgjidhim me ngrohjen qendrore”, tha drejtori Aliu.
Sipas studentëve problemi kryesor është ndërrimi i shpeshtë i drejtorëve të konviktit. Në dy vitet e fundit janë ndërruar katër. “Çdo njëri prej tyre ka nevojë për kohë që të njihet me problemet”, thanë ata.
Ata e vlerësojnë pozitivisht komunikimin me këshillin e banorëve, por shtojnë se drejtori duhet të jetë më i qasshëm. “Do të ishte mirë nëse drejtori do të kishte një ditë të hapur për pranimin e studentëve”, tha një nga studentët.
Drejtori Aliu thotë se komunikimi me këshillin është i shkëlqyer. “Ata kanë kërkesa në kuadër të mundësive dhe kemi takim një herë në muaj”, shtoi ai.
Sa i përket rikonstruksionit, drejtori thotë se shteti duhet të investojë më shumë, por se procesi tashmë ka filluar.
“Shteti mund të kushtojë më shumë vëmendje, por është mirë që është në plan rikonstruksioni i plotë deri në vitin akademik 2027. Qeveria dhe MASH-i kanë komunikim të rregullt me ne. Sigurisht që mund të jetë më mirë, por nuk duhet të harrojmë në cilin shtet jetojmë”, tha ai.
Nga konvikti i studentëve “Goce Dellçev”, pavarësisht përpjekjeve tona, deri më tani nuk kemi marrë deklarata nga studentët për kushtet, as për situatën aktuale me ashensorët që prishen vazhdimisht.
Drejtori i konviktit “Goce Dellçev”, Aleksandar Karovski, thotë se pavarësisht frekuencës së lartë të studentëve, ashensorët mirëmbahen rregullisht dhe reagohet menjëherë kur shfaqet ndonjë defekt.
“Në konvikt ka tetë ashensorë, nga dy në çdo bllok. Për shkak të frekuencës së madhe ndodh që ndonjë ashensor të prishet, por i servisojmë rregullisht sapo të shfaqet një problem”, deklaroi ai.
Karovski shtoi se studentët këtë vit nuk kanë raportuar problem me ujin e ngrohtë. “Ujë të ngrohtë ka në çdo kohë, këtë vit studentor asnjëherë nuk është raportuar problem”, tha ai.
Sa i përket ushqimit, ai thekson se punohet sipas standardeve të përcaktuara.
“Sasia e ushqimit është sipas normativës. Nuk kemi reagime për sasinë dhe larmishmërinë”, theksoi drejtori.

