Tiranë, 02 korrik, Zhurnal.mk – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim procedimin penal të vitit 2020, që lidhet me kontratën koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës, duke akuzuar një grup personash për mashtrim, pastrim të produkteve të veprës penale, korrupsion dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, kërkesa për gjykim është depozituar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj 12 personave fizikë dhe dy personave juridikë.
Mes të pandehurve janë Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Dashamir Ymeraj, Arjola Kodra, Giuseppe Ciaffaglione, Denisa Tollkuçi, Elton Bualli, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Marc Richard Lappat, Michael Peter Druijts dhe Ilir Dedja. Për gjykim janë dërguar gjithashtu edhe shoqëritë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k.
SPAK bën të ditur se hetimet kanë evidentuar se, gjatë procedurës koncesionare të zhvilluar nga ish-Ministria e Mjedisit për projektin “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin nga zyrtarë të autoritetit kontraktor, duke bërë të mundur shpalljen fituese të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k.
Sipas organit të akuzës, kontrata koncesionare e lidhur më 31 gusht 2017 parashikonte një investim prej 128,2 milionë euro, pa TVSH. Nga hetimet rezulton se deri në vitin 2023, periudhë që përkon me vendosjen e sekuestros preventive, shoqëria koncesionare ka përfituar të ardhura në vlerën 11,3 miliardë lekë, ndërsa investimet e realizuara për ndërtimin e objektit arrijnë në rreth 21 milionë euro.
SPAK pretendon se pronarët de facto të shoqërisë, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, kanë përfituar në mënyrë të parregullt shuma të konsiderueshme monetare nga zbatimi i kontratës, pa realizuar investimet e parashikuara.
Sipas hetimit, ata kanë përdorur një skemë faturash fiktive, shoqëri të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe transferta në para cash për të nxjerrë nga shoqëria koncesionare rreth 1,28 miliardë lekë dhe 16,6 milionë euro, të cilat dyshohet se përbëjnë produkte të veprës penale.
Prokuroria thekson se për realizimin e kësaj skeme është vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj të marrë të pandehur në këtë procedim.
SPAK kujton se në procedimet penale të ndara nr. 255/1 dhe nr. 255/2 janë dërguar më herët për gjykim dhe janë gjykuar me vendime të formës së prerë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, si dhe disa ish-zyrtarë të tjerë të përfshirë në procedurën koncesionare.
Po ashtu, me vendim të Gjykatës së Posaçme është vendosur më herët sekuestro preventive mbi pasuritë e Mirel Mërtirit, Klodian Zotos dhe disa shoqërive tregtare të lidhura me këtë çështje.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë në procedimin penal të ndarë nr. 255/3, me synim evidentimin e fakteve të tjera penale dhe identifikimin e personave të tjerë përgjegjës për procedurën e dhënies dhe zbatimit të kontratës koncesionare.
