14
Tiranë, 28 tetor, Zhurnal.mk – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Shqipëri, SPAK, ka përfunduar hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe personave të tjerë të përfshirë në procedimin penal numër 136, që lidhet me dyshime për korrupsion dhe shkelje në procedurat e prokurimit publik.
Balluku është paraqitur këtë të mërkurë në ambientet e SPAK-ut, e shoqëruar nga avokati i saj, Ardian Kalia, ku është njohur me vendimin për përfundimin e fazës hetimore. Kjo paraqitje vjen tetë ditë pasi Prokuroria e Posaçme i komunikoi akuzat ndaj saj.
Sipas SPAK-ut, ish-zëvendëskryeministrja akuzohet për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë, në bashkëpunim, në nëntë raste, si dhe për korrupsion pasiv gjatë ushtrimit të funksioneve publike dhe si funksionare e lartë shtetërore.
Akuzat përfshijnë gjithashtu mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë në dy raste, si dhe pastrim të produkteve të veprës penale, lidhur me dy pasuri të paluajtshme.
Në qendër të hetimeve janë disa procedura të prokurimit publik për projekte infrastrukturore, përfshirë Tunelin e Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës.
Sipas raportimeve mediatike, në këtë procedim janë marrë të pandehur edhe disa persona të tjerë, ndërsa Balluku nuk ka pranuar të japë shpjegime gjatë paraqitjes së saj në Prokurorinë e Posaçme.
Me përfundimin e hetimeve, çështja hyn në fazën e mëtejshme procedurale për shqyrtimin e akuzave nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO. Akuzat mbeten për t’u shqyrtuar nga gjykata.
