Spasovski: Qeveria e VMRO-DPMNE-së refuzoi amendamentin për mbështetje financiare të Lidhjes së Luftëtarëve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 tetor, Zhurnal.mk – Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski, akuzoi Qeverinë e VMRO-DPMNE-së se ka refuzuar amendamentin për mbështetje financiare të Lidhjes së Luftëtarëve, me të cilin kërkoheshin dy milionë denarë për funksionimin e pandërprerë të organizatës dhe ruajtjen e traditave të Luftës Nacionalçlirimtare.

Në fjalimin e tij në Kuvend, Spasovski theksoi se bëhet fjalë për të njëjtin amendament që paraqitet në çdo buxhet dhe ribalanc buxheti, por pavarësisht premtimeve të mëhershme, Lidhja e Luftëtarëve ende nuk ka marrë mbështetje financiare nga shteti.

“Deri më tani, Lidhja e Luftëtarëve nuk ka marrë asnjë denar nga shteti për të funksionuar normalisht dhe për të realizuar qëllimet e saj. Nuk mund dhe nuk është e pranueshme që vetëm deklarativisht t’i referohemi antifashizmit dhe vlerave që janë të ngulitura në themelet e shtetit maqedonas. Duhet të ndërmarrim hapa konkretë që kjo organizatë dhe përkrahësit e saj të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të veprojnë”, deklaroi Spasovski.

Ai tha se është befasuese që, sipas tij, ata që çdo ditë thirren në antifashizëm dhe vlera të majta nuk ndërmarrin hapa konkrete për përmirësimin e pozitës së Lidhjes së Luftëtarëve.

“Jam i befasuar nga të ashtuquajturit antifashistë, nga ata që janë pjesë e qeverisë dhe që çdo ditë thirren në antifashizëm, por nuk mund të bëjnë një hap për ta përmirësuar këtë gjendje”, theksoi Spasovski.

Sipas tij, mjetet e kërkuara nuk paraqesin barrë të madhe për buxhetin e shtetit, por do të ishin një mbështetje e rëndësishme për mbijetesën e organizatës, e cila ka rol të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës historike dhe vlerave të Luftës Nacionalçlirimtare.

“Ky ishte momenti prej të cilit lindi shteti modern maqedonas dhe mendoj se meriton respekt dhe nderim”, porositi Spasovski.

artikuj të ndërlidhura