Shkup, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Ndërthurja e njohurive me përvojën profesionale në institucionet shëndetësore është komponent i rëndësishëm i përgatitjes së kuadrove të ardhshme në lëmin e biokimisë. Në këtë drejtim, studentët e drejtimit të Biokimisë, nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore i Universitetit të Tetovës, më 11 nëntor 2026, realizuan një vizitë studimore në Laboratorin e Spitalit Klinik të Tetovës.
Kjo vizitë u mundësoi studentëve të njihen me mjedisin profesional të punës laboratorike dhe me rëndësinë që ka biokimia klinike në procesin e diagnostikimit, përcjelljes dhe vlerësimit të gjendjes shëndetësore të pacientëve. Përmes kësaj përvoje, ata patën mundësinë të shohin se si njohuritë e fituara gjatë studimeve aplikohen në praktikën e përditshme profesionale.
Gjatë vizitës, studentët u informuan për organizimin dhe funksionimin e laboratorit klinik, procedurat e pranimit dhe përpunimit të mostrave biologjike, proceset analitike, si dhe rëndësinë e saktësisë dhe besueshmërisë së rezultateve laboratorike. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe metodave bashkëkohore të analizave biokimike, përdorimit të aparaturave laboratorike dhe respektimit të protokolleve profesionale që garantojnë cilësinë e shërbimeve diagnostikuese.
Vizita u realizua nën udhëheqjen profesionale të specialistes së Biokimisë Medicinale, Maltina Ferati, e cila i njohu studentët me proceset e punës dhe ndau me ta përvojën e saj profesionale, duke u ofruar këshilla dhe sqarime mbi aspektet praktike të veprimtarisë laboratorike. Iniciatore e këtij aktiviteti ishte përfaqësuesja e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Anila Fetai, në kuadër të përpjekjeve të saj për të nxitur bashkëpunimin dhe ndërveprimin ndërmjet arsimit të lartë dhe institucioneve shëndetësore.
Ajo theksoi se, Universiteti i Tetovës, përmes aktiviteteve të këtij karakteri, synon të krijojë mundësi që studentët, përtej përgatitjes teorike, të përfitojnë edhe përvoja konkrete në mjedise reale të punës. Kontakti i drejtpërdrejtë me praktikën profesionale ndihmon në zhvillimin e shkathtësive, zgjerimin e horizontit akademik dhe përgatitjen e kuadrove të reja për sfidat e tregut të punës.
Vizita të tilla përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt një formimi universitar më të ndërlidhur me praktikën dhe kërkesat bashkëkohore profesionale, duke e forcuar njëkohësisht rolin e Universitetit të Tetovës në përgatitjen e gjeneratave të reja të specialistëve në fushën e shkencave natyrore dhe shëndetësore.

