Londër, 02 qershor, Zhurnal.mk – Pavarësisht një plani të pjesshëm armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe të miratuar nga Izraeli dhe Hezbollahu, përleshjet kanë vazhduar në jug të Libanit, duke treguar se marrëveshja ende nuk po respektohet plotësisht në terren, raportoi BBC.
Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se palët kishin rënë dakord për ndalimin e të shtënave pas bisedimeve me ta, ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu konfirmoi një marrëveshje të pjesshme, por paralajmëroi vazhdimin e sulmeve ndaj Bejrutit nëse Hezbollahu nuk do te ndalonte sulmet.
Në terren, megjithatë, janë raportuar sulme të reja, përfshirë goditje me raketa dhe ndërhyrje ajrore në zona të ndryshme të Libanit jugor, si dhe përgjigje ushtarake nga të dyja palët.
Situata është shoqëruar me tensione më të gjera rajonale, me paralajmërime nga Irani për përshkallëzim të konfliktit dhe ndikim të mundshëm në negociatat me SHBA-në.
Konflikti ka rritur gjithashtu pasigurinë në tregjet energjetike globale, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës.
Lufta ka shkaktuar mijëra vdekje, me mbi 3 400 të vrarë në Liban dhe dhjetëra viktima në Izrael.
