Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se po vazhdojnë t’i çmontojnë elementet kriminale e terroriste të Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se çdo veprim që cenon sigurinë e qytetarëve tanë do të trajtohet me vendosmëri dhe profesionalizëm.
“Vazhdojmë me çmontimin e elementeve kriminale e terroriste të Serbisë, në funksion të sigurisë së qytetarëve tanë dhe mbrojtjes së Republikës sonë. Mbrëmë, njësitë e Policisë së Kosovës, gjatë patrullimit në një objekt të pabanuar në fshatin Donje Jarinjë, kanë hasur uniforma ushtarake dhe xhaketa me emblema të ushtrisë së Serbisë, si dhe një predhë antitank. Do të vazhdojmë pa u ndalur punën dhe angazhimin tonë në çrrënjosjen e çdo mbetjeje terroriste të Serbisë në vendin tonë. Institucionet tona mbeten plotësisht të përkushtuara ndaj ligjit, sigurisë dhe mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Çdo veprim që cenon sigurinë e qytetarëve tanë do të trajtohet me vendosmëri dhe profesionalizëm.”
