Taksat doganore të vendosura nga Donald Trump mbi çelikun dhe aluminin kanë bërë që eksportet evropiane të çelikut drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës bien me 30% që nga korriku, duke shtyrë industrinë të kërkojë një rikthim në ekuilibër të marrëveshjes mes Brukselit dhe Uashingtonit.
Sipas të dhënave të organizatës Eurostat, të cituara sot nga organizata profesionale e prodhuesve evropianë të çelikut Eurofer, “eksportet e çelikut drejt SHBA ranë me 30% në gjysmën e dytë të vitit 2025, krahasuar me një vit më parë”.
Eurofer ia atribuoi këtë rënie direkt taksës doganore prej 50% që aplikohet që nga qershori ndaj importuesve amerikanë të çelikut dhe aluminit.
Në gusht, kjo taksë u zgjerua edhe për disa qindra produkte që përmbajnë çelik ose alumin, duke pasur pasoja të mëdha për prodhuesit evropianë të makinerive dhe pajisjeve të tjera me përmbajtje të lartë metali.
Për Eurofer, “këto shifra theksojnë nevojën që çdo marrëveshje tregtare mes BE-së dhe SHBA-së të jetë e drejtë, e ekuilibruar dhe e zbatueshme.”
Marrëveshja e nënshkruar verën e kaluar midis Brukselit dhe Uashingtonit uli tarifat doganore amerikane për shumicën e produkteve evropiane në 15%.
Por, çeliku dhe alumini nuk përfshihen dhe mbeten të taksuara aktualisht me 50%.
Me gjithë kërkesat e përsëritura të Brukselit, Uashingtoni deri tani ka refuzuar t’i ulë ato dhe ka kërkuar që Evropa të heqë në këmbim legjislacionin e saj të fuqishëm digjital, një marrëveshje që BE-ja e ka konsideruar të papranueshme.
