Prishtinë, 11 nëntor, Zhurnal.mk – Seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit është ndërprerë, ndërsa dëshmia e radhës në këtë proces është caktuar për 17 dhjetor, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Tre të akuzuarit janë deklaruar sërish të pafajshëm para gjykatës, ndërsa palët në procedurë kanë rënë dakord që të mos përsëritet dëgjimi i dëshmitarëve që kanë dëshmuar deri më tani, pas ndryshimit të kryetarit të trupit gjykues.
Kryetari i ri i trupit gjykues, Leon Përlaska, ka bërë të ditur se do të respektohet radha e dëshmitarëve e përcaktuar nga përbërja e mëparshme e trupit gjykues.
Ai ka njoftuar se në seancën e ardhshme do të dëshmojë Tijana Viqentijeviq, familjare e të akuzuarve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq.
“Për këtë seancë nuk ka thirrur ndonjë dëshmitar, gjithashtu rikujton se me seancat e kaluara dhe në përbërjen e kaluar të trupit gjykues janë aprovuar disa dëshmitarë,. Është paracaktuar edhe radha e thirrjes së tyre, e cila do të respektohet edhe nga ky trup gjykues. Kanë mbetur disa propozime të mbrojtës pa u vendosur, është marrë mendimi i prokurorit.. gjykata njofton palët se në seancën e radhshme do dëshmoj Tijana Viccentijeviq”, tha ai.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 17 dhjetor, në orën 13:00.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviqit, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit, në Varagë të Zubin-Potokut.

