Temperaturat në rritje, Mexhiti: Shërbime mjekësore më afër qytetarëve

Nga D. V.
1,182 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se shëndeti i qytetarëve dhe parandalimi i rreziqeve nga temperaturat e larta mbeten prioritet i institucioneve lokale.

Ai bëri të ditur se, në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”, ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të institucioneve shëndetësore, përfshirë Gjinekologjinë, Klinikën e Fëmijëve, Qendrën e Shëndetit Publik, Shtëpinë e Shëndetit Shkup dhe Kryqin e Kuq, për koordinimin e masave mbrojtëse gjatë periudhës së verës.

“Së bashku diskutuam për angazhimin e ekipeve mjekësore në terren, të cilat do të fillojnë aktivitetin nga Parku i Çairit, Parku Rinia në Fushë Topanë dhe Çarshia e Vjetër. Ekipet do të ofrojnë kontrolle bazë shëndetësore, shpërndarje të ujit, këshilla profesionale për mbrojtjen nga temperaturat e larta, si dhe broshura informuese me rekomandime praktike për qytetarët”, deklaroi Mexhiti.

Sipas tij, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet grupeve më të rrezikuara, si fëmijëve, grave shtatzëna, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike, duke u ofruar rekomandime për hidratimin, ushqyerjen dhe mbrojtjen gjatë ditëve me temperatura të larta.

“Shëndeti i qytetarëve është prioriteti ynë. Në bashkëpunim me institucionet shëndetësore do të vazhdojmë me aktivitete informuese dhe parandaluese, për t’u siguruar që secili qytetar të ketë mbështetjen dhe informacionin e nevojshëm për ta përballuar sa më sigurt këtë periudhë të verës”, theksoi Mexhiti.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër