Transparency International publikon raportin për korrupsionin për vitin 20255

nga D. V.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) i vitit 2025 publikuar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International (TI), tregon se korrupsioni mbetet një kërcënim serioz në çdo pjesë të botës, megjithëse ka shenja të kufizuara progresi.

Indeksi rendit 182 vende në mbarë botën sipas niveleve të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik ku theksohet se: “ndërsa 31 vende kanë ulur ndjeshëm nivelet e korrupsionit që nga viti 2012, pjesa tjetër nuk po arrin ta zgjidhë problemin – ato kanë mbetur në vend ose janë përkeqësuar gjatë së njëjtës periudhë. Mesatarja globale ka rënë në një minimum të ri prej 42 pikësh, ndërsa më shumë se dy të tretat e vendeve shënojnë nën 50”.

“Shumica dërmuese e shteteve kanë dështuar që ta mbajnë nën kontroll korrupsionin: 122 nga 182 shtetet janë vlerësuar me nën 50 pikë në indeks”, thekson Transparecy International.

Sipas organizatës, udhëheqësit duhet të veprojnë për të trajtuar abuzimet me pushtetin dhe faktorët më të gjerë që nxisin këtë rënie, siç është zvogëlimi i kontrolleve dhe balancave demokratike dhe sulmet ndaj shoqërisë civile të pavarur.

Protestat antiqeveritare në shumë pjesë të botës tregojnë se njerëzit janë të ngopur me lidershipin e papërgjegjshëm dhe po kërkojnë reforma.

Po ashtu, numri i shteteve që vlerësuar me mbi 80 pikë ka rënë nga 12 sa ishin një dekadë më parë në vetëm pesë këtë vit.

Në raport thuhet se edhe demokracitë e konsoliduara, si SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe Zelanda e Re, po përjetojnë një rënie në performancë. Mungesa e një lidershipi të guximshëm po çon në standarde dhe zbatim më të dobët, duke ulur ambicien në përpjekjet kundër korrupsionit në të gjithë botën.

“Në veçanti, një trend shqetësues i përkeqësimit i korrupsionit në demokraci – nga Shtetet e Bashkuara (64), Kanadaja (75) dhe Zelanda e Re (81), e deri në disa pjesë të Evropës, sikurse Mbretëria e Bashkuar (70), Franca (66) dhe Suedia (80)”, shprehte TI.

“Në një kohë krize klimatike, paqëndrueshmërie dhe polarizimi, bota ka nevojë për udhëheqës të përgjegjshëm dhe institucione të pavarura për të mbrojtur interesin publik më shumë se kurrë – megjithatë, shumë shpesh, ata po dështojnë. Ne u bëjmë thirrje qeverive dhe udhëheqësve të veprojnë me integritet dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët e tyre”, thekson Maíra Martini, drejtor ekzekutiv i Transparency International.

Evropa Lindore dhe Azia Qendrore mbeten një nga rajonet me performancën më të ulët në botë, me një pandëshkueshmëri të përhapur për korrupsionin e nxitur nga interesat e ngushta që dominojnë shumicën e qeverive dhe institucionet e tyre.

Vendet e Evropës Perëndimore përbëjnë nëntë nga dhjetë vendet e para në nivel global në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. “Pavarësisht se renditet si rajoni më pak i korruptuar në botë, progresi kundër korrupsionit në Evropën Perëndimore dhe BE ka ngecur gjatë dekadës së fundit. Rezultati mesatar i rajonit ka rënë nga 66 në 64, me 13 vende që kanë parë rënie të ndjeshme dhe vetëm shtatë që kanë bërë përmirësime…”.

Sipas organizatës, ndërsa evropianët po përballen me sfida të mbivendosura, kërkesa për lidership vendimtar dhe institucione të forta e të pavarura nuk ka qenë kurrë më e qartë. Në vend të kësaj, dështimet e vazhdueshme të lidershipit dhe llogaridhënies po dëmtojnë integritetin dhe po përshpejtojnë humbjen e besimit publik në qeveri.

Përqendrimi i pushtetit, ndikimi në gjyqësor dhe presioni ndaj shoqërisë civile po nxisin kthim prapa të demokracisë dhe po dobësojnë mekanizmat e kontrollit duke reduktuar mbikëqyrjen publike, tha organizata.

Për vitin 2025, nga vendet e rajonit, Mali i Zi është vlerësuar me 46 pikë (njësoj si herën e kaluar), Maqedonia e Veriut me 40 (njësoj si herën e kaluar), Kosova me 43 pikë, Shqipëria me 39 pikë, Bosnje e Hercegovina me 34 dhe Serbia me 33.

Sipas indeksit të këtij viti, në krye të tij është Danimarka, Finlanda dhe Singapori, sikurse ishin edhe vitin e kaluar. Ndërkaq në fund të listës, të renditura më së keqi janë Venezuela, Somalia dhe Sudani.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More