Udhëheqësit evropianë takohen për Ukrainën dhe IA

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Dublin, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Dhjetëra udhëheqës evropianë pritet të mblidhen në Dublin për dy ditë bisedime, ku në qendër do të jenë lufta në Ukrainë, siguria evropiane dhe sfidat ekonomike të kontinentit, përfshirë Inteligjencën Artificiale (IA).

Rreth 50 liderë evropianë pritet të marrin pjesë sot në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku do të diskutohet për konkurrueshmërinë dhe sigurinë e Evropës.

Takimi do t’i japë gjithashtu mundësinë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që të informojë aleatët e tij më të afërt mbi bisedimet e fundit me Rusinë dhe të kërkojë mbështetje të mëtejshme ushtarake dhe financiare për vendin e tij.

Në samit pritet të marrin pjesë gjithashtu kryeministri kanadez Mark Carney dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Komuniteti Politik Evropian, i cili përfshin jo vetëm vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe Britaninë e Madhe, Turqinë, Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor e të Kaukazit, u krijua disa vite më parë me nismën e presidentit francez Emmanuel Macron.

Të premten, 27 udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të zhvillojnë një takim të veçantë, ku do të diskutojnë për Inteligjencën Artificiale dhe zhvillimet më të fundit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, përfshirë nevojat financiare në rritje të Kievit.

Diskutimet për IA-në pritet të përqendrohen te mënyrat se si Evropa mund të shndërrohet në një aktor kryesor në këtë sektor, ku aktualisht dominojnë kompanitë amerikane, si dhe te ndikimet shoqërore dhe mjedisore të kësaj teknologjie.

Ndërkohë, bisedimet për Ukrainën pritet të përqendrohen te sigurimi i mbështetjes financiare shtesë. Zelensky u kishte deklaruar udhëheqësve të BE-së në tetor se vendit të tij i nevojiten edhe 70 miliardë euro për vitin 2027.

Liderët pritet të rikthehen gjithashtu te debati se kush do të ishte më i përshtatshëm për të përfaqësuar Bashkimin Evropian në negociatat e ardhshme të paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër