Dibër, 17 gusht, Zhurnal.mk – Ushtruesja e detyrës ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Nicole Varnes, së bashku me ekipin e saj, ka nisur një turne vizitash jashtë kryeqytetit, ndërsa ndalesa e parë ka qenë qyteti i Dibrës.
Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e SHBA-së në Shkup, e cila përmes një njoftimi ka theksuar se vizita në Dibër është realizuar në kuadër të iniciativës “Përtej kryeqytetit”.
Gjatë qëndrimit në Dibër, Varnes është takuar me kryetarin e Komunës, Fisnik Mela, si dhe me përfaqësues të diasporës dibrane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas Ambasadës amerikane, në fokus të bisedimeve kanë qenë prioritetet lokale, lidhjet me komunitetin dhe marrëdhëniet e vazhdueshme ndërmjet dy vendeve.
“Ndalesa jonë e parë na çoi në Dibër, ku e Ngarkuara me Punë Nicole Varnes u takua me kryetarin e Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, si dhe me pjesëtarë të diasporës së Dibrës në SHBA, për të diskutuar prioritetet lokale, lidhjet me komunitetin dhe marrëdhëniet e qëndrueshme mes dy vendeve tona”, thuhet në njoftim.
Nga Ambasada vlerësojnë se takimet me drejtuesit lokalë dhe bashkatdhetarët që jetojnë mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së dëshmojnë rëndësinë e lidhjeve njerëzore në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve.
“Dita ishte një kujtesë se marrëdhëniet e forta ndërtohen përmes njerëzve, komuniteteve dhe lidhjeve të qëndrueshme”, theksohet në njoftim.
Ambasada amerikane ka bërë të ditur se turneu do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim me vizita në qytete të tjera të vendit. (Zhurnal.mk)
