Motra e madhe e aktores së njohur, Jamie Lee Curtis, ka ndërruar jetë fundjavën e kaluar në moshën 69-vjeçare.
Autoritetet kanë konfirmuar se vdekja ka ndodhur për shkaqe natyrore.
Sipas zyrës së mjekut ligjor, trupi i saj pritet të kremohet, ndërsa ende nuk dihet nëse familja ka kërkuar kryerjen e autopsisë.
Bashkëshorti i saj, John Marsh, raportohet se ishte i pranishëm kur në vendngjarje mbërritën autoritetet.
Pas lajmit të hidhur, Jamie Lee Curtis i kushtoi motrës një dedikim prekës në rrjetet sociale, duke e përshkruar si shoqen e saj të parë dhe personin të cilit i besonte më shumë gjatë gjithë jetës.
Aktorja kujtoi se motra e saj ishte një grua e talentuar dhe e dashur, me pasione të shumta, përfshirë familjen, natyrën, muzikën, udhëtimet dhe koleksionimin e breshkave.
Ajo theksoi gjithashtu krenarinë që motra ndiente për origjinën e saj daneze dhe hebreo-hungareze si dhe dashurinë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në postimin prekës, Curtis tha se do ta kujtojë motrën për mirësinë, bujarinë, karakterin e fortë, kureshtjen për jetën dhe stilin e saj unik, duke nënvizuar se humbja e saj ka lënë një boshllëk të madh në familje.
