Vdes në moshën 27-vjeçare Presley Gerber, djali i Cindy Crawford

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Presley Gerber, djali i supermodeles Cindy Crawford dhe biznesmenit Rande Gerber, ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare.

Sipas të dhënave të Mjekut Ligjor të Qarkut të Los Angeles, Gerber ndërroi jetë të dielën në një qendër rehabilitimi.

Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur. Familja, përmes një përfaqësueseje, ka kërkuar privatësi gjatë kësaj periudhe të vështirë, shkruan BBC.

Presley ndoqi rrugën e nënës dhe motrës së tij, Kaia Gerber, duke nisur karrierën si model që në moshën 16-vjeçare.

Ai debutoi në pasarelë për Moschino dhe më vonë bashkëpunoi me marka të njohura si Burberry, Dolce & Gabbana dhe Bottega Veneta.

Në vitet e fundit, Presley kishte folur publikisht për vështirësitë me shëndetin mendor dhe përdorimin e drogës.

Në vitin 2023, ai tregoi se kishte kaluar periudha me depresion dhe probleme të tjera të shëndetit mendor, duke thënë se shpresonte që rrëfimi i tij të ndihmonte të tjerët që përballeshin me të njëjtat vështirësi.

Edhe motra e tij, Kaia, kishte folur së fundmi për problemet e vëllait me varësinë. Në një intervistë për American Vogue, ajo tregoi se vështirësitë e Presley-t kishin ndikuar në të gjithë familjen dhe se për këtë arsye ajo kishte krijuar prirjen për të mos kërkuar ndihmë për veten.

Nëna e Presley-t, Cindy Crawford, është një nga supermodelet më të njohura të viteve të 90-ta, ndërsa babai i tij, Rande Gerber, është biznesmen dhe bashkëthemelues i markës së tekilës Casamigos.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër