Gjykata Supreme e Kosovës, me aktgjykimin P.A.nr.14/2025, ka shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 14.A, par.1, nënpar.5 të Udhëzimit Administrativ që kërkonte “vërtetim nga ATK se aplikuesi nuk është në marrëdhënie pune” si kusht për realizimin e pensionit të veteranit-luftëtar.
Lidhur me këtë vendim kanë reaguar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Nga OVL e kanë mirëpritur këtë duke thënë se rikthehet në vend padrejtësia që iu është bërë veteranëve.
Njoftimi i plotë:
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e përshëndet vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, e cila ka shfuqizuar nenin diskriminues të Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.
Ky vendim është një fitore e drejtësisë dhe e ligjit, sepse rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, pavarësisht se janë të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve.
Gjykata Supreme ka konstatuar saktë se e drejta e veteranëve nuk mund të varet nga fakti nëse janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësit, duke përjashtuar vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa duke garantuar të drejtën për të gjithë ata që punojnë në sektorin privat.
Ky vendim është një konfirmim i qartë se ligji që mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë nuk mund të deformohet me akte nënligjore dhe se çdo përpjekje për kufizim të paarsyeshëm të të drejtave të veteranëve është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me vlerat e luftës sonë çlirimtare.
OVL UÇK falënderon Gjykatën Supreme për vendimmarrjen e drejtë dhe të guximshme, e cila kontribuon në forcimin e shtetit ligjor dhe në mbrojtjen e të drejtave të atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
