Tetovë, 12 korrik Zhurnal.mk – Rruga Tetovë–Prizren si një projekt kombëtar dhe strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ka çelur syparin. Me fillimin e punimeve në terren në segmentin mbi Shipkovicë, po merr fund një histori premtimesh boshe që për më shumë se dy dekada u përdor vetëm për fushata elektorale.
Për vite me radhë banorëve të Tetovës iu servirën premtime, konferenca për media dhe fotografi. Rezultati ishte zero. Nga tani ka makineri në terren, punime konkrete dhe një projekt që po ecë përpara.
Ky është dallimi mes atyre që Tetovën e përdorën për marketing politik dhe VLEN-it që punon për ta zhvilluar Tetovën me projekte reale nën drejtimin e Bilall Kasamit.
Rruga Tetovë–Prizren nuk është vetëm një investim infrastrukturor. Ajo është një lidhje strategjike mes shqiptarëve, një nxitje për ekonominë, turizmin dhe zhvillimin e rajonit. Pikërisht për këtë arsye, VLEN dhe Kasami do ta çojnë këtë projekt deri në fund, pa u ndalur nga zhurma politike e atyre që për vite nuk bënë asgjë.
Qytetarët nuk mashtrohen më me premtime të ricikluara. Ata e dinë se kush pati pushtetin për vite me radhë dhe nuk e realizoi këtë projekt dhe kush sot po e kthen atë në realitet.
VLEN nuk kërkon merita për fjalë. Meritat ndërtohen me punë, me projekte dhe me rezultate që qytetarët i shohin përditë. Tetova po ecën përpara dhe këtë ndryshim askush nuk mund ta ndalë.
