Shkup, 24 tetor Zhurnal.mk – VMRO-DPMNE ka ashpërsuar kritikat ndaj kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe, duke e akuzuar se partinë opozitare e ka sjellë në një nga pozitat më të dobëta politike dhe se rezultatet e dobëta zgjedhore po përpiqet t’i paraqesë si sukses. Nga partia në pushtet thonë se LSDM-ja, nën drejtimin e Filipçes, ka rënë në nivelin e 5 për qind të mbështetjes dhe tashmë po kërkon ngushëllim te vendi i katërt në renditjen politike.
Në një kumtesë për opinionin, VMRO-DPMNE thekson se rezultatet e zgjedhjeve lokale në Bërvenicë dëshmojnë dobësimin e LSDM-së, ndërsa akuzon udhëheqjen e saj se po feston edhe pas humbjeve përballë partisë në pushtet. “Filipçe dhe LSDM-ja po përpiqen të gjejnë ngushëllim te renditja në vendin e katërt. LSDM-ja me Filipçen ka rënë në një rejting prej 5 për qind dhe po i gëzohet humbjes me rezultat 4 me 1 nga VMRO-DPMNE në zgjedhjet lokale në Bërvenicë”, thuhet në kumtesë.
Nga VMRO-DPMNE vlerësojnë se opozita maqedonase ka pësuar një debakël politik, duke pretenduar se rezultatet në disa komuna tregojnë se LSDM-ja nuk po arrin të rikthejë besimin e qytetarëve. “LSDM-ja nën udhëheqjen e Filipçes ka përjetuar debakël politik. LSDM-ja me Filipçen është partia e katërt në Kumanovë dhe Bërvenicë, ndërsa e pesta në Shkup”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Sipas partisë në pushtet, këto rezultate janë dëshmi e mungesës së vizionit politik dhe e pamundësisë së LSDM-së për t’u imponuar si alternativë serioze ndaj qeverisjes aktuale. “Shifrat dhe faktet janë treguesi më i mirë i gjendjes në të cilën ndodhet LSDM-ja, e cila, me Filipçen në krye, është shndërruar në një parti pa vizion politik, pa ofertë bindëse dhe pa kapacitet për t’u imponuar si alternativë serioze mes qytetarëve”, thuhet më tej në reagim.
VMRO-DPMNE nuk i ka kursyer as akuzat për ndikimin e ish-kryeministrit Zoran Zaev mbi udhëheqjen aktuale të LSDM-së, duke pretenduar se Filipçe vazhdon të veprojë nën mentorimin e tij. “Filipçe, nën mentorimin e Zaevit, e ka shndërruar LSDM-në në një parti që u gëzohet humbjeve”, thuhet në kumtesë.
Në fund, VMRO-DPMNE përdor edhe ironi ndaj rezultateve të opozitës, duke i cilësuar si “suksese” renditjet e saj në vendet e katërta dhe të pesta. “Filipçes dhe LSDM-së u dëshirojmë edhe shumë ‘suksese’ të këtilla: vende të katërta dhe të pesta, festim të humbjeve dhe mbështetje gjithnjë e më të vogël nga qytetarët”, përfundon kumtesa e VMRO-DPMNE-së.
