Lidhjet mes Parisit dhe Berlin kanë rëndësi ekzistenciale për Evropën, deklaroi sot ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul.
“Është thelbësore për Bashkimin Evropian që Franca dhe Gjermania të vazhdojnë të punojnë së bashku dhe që, pavarësisht pikëpamjeve ndonjëherë të ndryshme, të kërkojmë gjithmonë terren të përbashkët”, tha ai.
“Franca është partnerja jonë më e afërt dhe mikja jonë më e rëndësishme në Evropë. Së bashku, jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë ndaj kontinentit”, shtoi ai.
Sipas tij, Gjermania dhe Franca kanë hyrë në një bashkim të qëndrueshëm, të pashembullt në thellësi dhe gjerësi me ndonjë vend tjetër, duke përmendur Traktatin historik të Elizesë të vitit 1963 dhe Traktatin e Ahenit, që hyri në fuqi në vitin 2020.
Mbi këtë bazë, të dy vendet duhet të ecin përpara me guxim, përfshirë mbështetjen për Ukrainën dhe mbrojtjen e lirisë.
Wadephul theksoi se, edhe pse ka dallime, si për shembull mbi marrëveshjen Mercosur, ekziston pajtim i gjerë për çështjet kyçe të së ardhmes së përbashkët evropiane.
“Të dy vendet punojnë çdo ditë për të forcuar sovranitetin evropian, nga sigurimi i lëndëve të para kritike dhe gjysmëpërçuesve, te vetëvendosja digjitale mbi bazën e vlerave evropiane, si dhe bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes dhe diskutimet fillestare mbi parandalimin bërthamor”, shtoi Wadephul.
Sipas tij, partneriteti mes dy vendeve është me rëndësi ekzistenciale dhe kërkon komunikim të hapur, shkëmbim të ndershëm dhe debat kritik, gjithmonë me synimin për të forcuar Evropën.
