“WhatsApp” do të lejojë komunikimin përmes emrave të përdoruesit, pa zbuluar numrin e telefonit

Nga D. V.
497 e lexuar
A+ A-
Rivendos

“WhatsApp” do t’u mundësojë përdoruesve të komunikojnë me njëri-tjetrin, pa qenë e nevojshme për të ndarë numrin e telefonit, duke përdorur emra unikë përdoruesi (username), raportoi BBC.

Funksioni i ri, do të shpërndahet gradualisht, në muajt e ardhshëm, për të gjithë rreth 3 miliardë përdoruesit e platformës, në mbarë botën.

Që këtë javë, përdoruesit mund të rezervojnë, një emër përdoruesi përmes aplikacionit, megjithëse kjo nuk do të jetë e detyrueshme.

Kompania bëri të ditur se, emrat e përdoruesit mund të ndryshohen ose hiqen në çdo kohë.

Pasi funksioni të aktivizohet plotësisht, përdoruesit do të mund të lidhen dhe të bisedojnë vetëm duke shkëmbyer username-t – emri i përdoruesit, ndërsa do të mbeten të disponueshme edhe opsionet për bllokimin ose raportimin e mesazheve të padëshiruara.

Emrat e përdoruesit do të mund të kenë deri në 35 karaktere dhe do të ketë pak kufizime.

Përjashtim do të bëjnë emrat e disa figurave të njohura publike dhe zyrtarëve të lartë, të cilët nuk do të jenë të disponueshëm për përdorues të tjerë.

Kjo do të thotë se, për shembull, nuk do të jetë e mundur që dikush të regjistrohet me emrin “Donald Trump”.

“Meta”: Funksioni forcon privatësinë

“WhatsApp”, në pronësi të “Meta-s”, e cilëson këtë ndryshim si një veçori që forcon privatësinë e përdoruesve.

Drejtoresha e produkteve në “WhatsApp”, Alice Newton-Rex tha se shumë përdorues kanë shprehur dëshirën, që të mos jenë të detyruar të ndajnë numrin e telefonit, për të komunikuar me të tjerët, veçanërisht në bisedat në grup.

Sipas saj, funksioni i ri do t’u japë përdoruesve më shumë kontroll mbi mënyrën, se si prezantohen në platformë.

Si mund të rezervohet një “username” emri i përdoruesit?

“Meta” njoftoi se funksioni do të aktivizohet gradualisht dhe përdoruesit do të marrin njoftim sapo të kenë mundësi të rezervojnë emrin e tyre.

Opsioni do të gjendet te cilësimet e llogarisë ose të profilit në aplikacion. Rezervimi nuk mund të bëhet përmes “WhatsApp Web” ose versionit “Desktop”.

Kompania shtoi se krijuesit e përmbajtjes, bizneset e vogla dhe organizatat do të kenë mundësinë të rezervojnë të njëjtin emër përdoruesi, që përdorin në “Instagram” ose “Facebook”.

Ndërsa përdoruesit e tjerë, nëse duan të përdorin të njëjtin emër në aplikacionet e tjera të “Meta-s”, do të duhet të lidhin llogaritë përmes “Accounts Centre”, gjë që nënkupton ndarjen e disa të dhënave mes platformave si “Threads” dhe “Messenger”.

Disa përdorues kanë raportuar në rrjetet sociale se opsioni ende nuk u është shfaqur. “WhatsApp” u ka rekomanduar të sigurohen, që kanë versionin më të fundit të aplikacionit dhe të presin aktivizimin gradual të funksionit.

Ekspertët: Privatësi më e madhe, por jo e plotë

Aplikacioni “Signal” ofron një funksion të ngjashëm që prej vitit 2024.

Profesoresha e Universitetit të Oksfordit, Carissa Véliz, eksperte e privatësisë dhe autore e librit “Privatësia është Fuqi”, vlerësoi se funksioni është pozitiv, por paralajmëroi se “WhatsApp” nuk mund të konsiderohet plotësisht, një platformë miqësore me privatësinë.

Sipas saj, “Meta” vazhdon të mbledhë një sasi të konsiderueshme të dhënash për përdoruesit, për qëllime reklamimi.

“WhatsApp” thekson se përmbajtja e bisedave private mbrohet nga enkriptimi “end-to-end”, që do të thotë se kompania nuk mund të lexojë mesazhet.

Megjithatë, ajo përdor të dhëna të tjera, si vendndodhja e përgjithshme dhe informacionet bazë të llogarisë, për të mbështetur sistemin e reklamave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër