Në fillim të muajit mars u shfaq informacioni se WhatsApp do të prezantojë një shërbim me abonim, ndërsa tani ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar.
WhatsApp po teston WhatsApp Plus, dhe çmimi i këtij shërbimi është 2.49 euro në muaj në Evropë. Përdoruesit që abonohen do të kenë qasje në ngjitëse (stickers) premium ekskluzive, mundësinë për të ndryshuar temën e aplikacionit duke zgjedhur mes 18 ngjyrave, madje edhe përzgjedhjen e një ikone të personalizuar për vetë WhatsApp-in, e cila do të shfaqet në ekranin kryesor të telefonit dhe në listën e aplikacioneve.
Gjithashtu, me abonimin WhatsApp Plus është e mundur të fiksohen (pin) deri në 20 biseda për qasje më të lehtë, që është dukshëm më shumë se kufizimi prej tre bisedash të fiksuara për ata që nuk janë abonentë.
Përveç kësaj, abonentët marrin qasje në 10 melodi zileje premium ekskluzive, ndërsa disa cilësime mund të aplikohen njëkohësisht në disa biseda dhe grupe që janë shtuar në një listë të personalizuar.
Për shembull, është e mundur të vendoset një temë që do të aplikohet në të gjitha bisedat brenda një liste të caktuar, dhe kur shtohet një bisedë e re në atë listë, tema do të aplikohet automatikisht edhe për të.
WhatsApp Plus aktualisht është i disponueshëm vetëm për një numër të kufizuar përdoruesish, pasi është ende në fazën e testimit, megjithatë nuk ka dyshim se së shpejti do të zgjerojë shtrirjen e tij.
Duket se plani me pagesë aktualisht është i fokusuar në Android, ndërsa mbështetja për iOS pritet të vijë pak më vonë. Të gjitha funksionet bazë të WhatsApp-it mbeten falas, përfshirë enkriptimin end-to-end. WhatsApp nuk ka hequr asnjë funksion bazë dhe nuk i ka shtuar ato në planin me pagesë, ndërsa të gjitha funksionet Plus janë të reja.
