Tiranë, 24 qershor, Zhurnal.mk – Posta Shqiptare dhe Posta Turke (PT) synojnë forcimin e bashkëpunimit në sektorin postar, përmes nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi që synon modernizimin e shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit në të dy vendet.
Drejtori i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, vlerësoi marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtejshëm të shërbimeve postare, logjistikës dhe transformimit digjital.
“Mundësi të reja zhvillimi dhe një vizion i përbashkët drejt modernizimit të shërbimeve tona”, u shpreh Xhafaj, duke theksuar se marrëveshja hap rrugë për avancimin e e-commerce, përmirësimin e shërbimeve në sportele dhe përthithjen e praktikave më të mira ndërkombëtare për rritjen e efikasitetit në sportele për qytetarët dhe sipërmarrjet në të dy vendet.
Sipas tij, bashkëpunime të tilla janë thelbësore për përshtatjen me dinamikat e tregut global dhe për forcimin e shërbimit publik për qytetarët dhe bizneset.
“Në një treg global gjithnjë e më dinamik, partneritete të këtij niveli janë çelësi për të sjellë reforma strukturore dhe për të ndërtuar të ardhmen e shërbimit tonë publik. Ndërtimi i këtyre aleancave ndërkombëtare mbetet një prioritet kyç në rrugëtimin tonë, duke investuar vazhdimisht në teknologji dhe në zgjidhje bashkëkohore”, u shpreh Xhafaj.
