Qendërmbrojtësi i River Plate, Nicolas Otamendi, ka njoftuar tërheqjen e tij nga kombëtarja e Argjentinës pas Kupës së Botës 2026 .
Futbollisti 38-vjeçar e ndau lajmin e pensionimit nga kombëtarja me anë të një postim në rrjetet sociale.
“Sot duhet të shkruaj fjalët më të vështira të gjithë karrierës sime. Që nga fëmijëria, ëndërroja të vishja fanellën e ekipit kombëtar të Argjentinës. Ishte privilegji më i madh që më dha futbolli. E mbrojta me gjithë zemër, me krenari dhe përgjegjësi, plotësisht i vetëdijshëm për atë që do të thotë për miliona argjentinas”, ka shkruar fillimisht Otamendi.
“Ndodhi që ndeshja ime e fundit ishte finalja e Kupës së Botës. Nuk ishte rezultati që donim, por po largohem me kokën lart, sepse kjo skuadër luftoi deri në sekondën e fundit”.
“Të them lamtumirë me paqe në zemër, duke e ditur se dhashë gjithçka. Nuk kurseva asnjë përpjekje, nuk pushova kurrë së besuari dhe nuk pushova kurrë së ndjeri se veshja e kësaj bluze është nderi më i madh i jetës sime”.
“Faleminderit tifozëve argjentinas. Faleminderit për dashurinë tuaj të pakushtëzuar, për çdo flamur, për çdo këngë, që ishit me ne në kohët e mira dhe, mbi të gjitha, në momentet më të vështira. Është për shkak të jush që sa herë që luhej himni, ndiheshim sikur nuk ishin vetëm njëmbëdhjetë lojtarë, por miliona njerëz që mbronin një ëndërr të përbashkët”.
“Faleminderit familjes sime. Ju ishit streha ime pas çdo pengese dhe forca ime në çdo sfidë. Ju i duruat ndarjet, mungesën time, lotët dhe zhgënjimet. Unë kurrë nuk eca këtë rrugë vetëm – e kapërcyem së bashku, hap pas hapi”.
“Dhe atyre që vazhdojnë ta veshin këtë fanellë sot, dua t’u them diçka nga thellësia e zemrës sime: mos ndaloni kurrë së besuari. Do të ketë goditje që duken të pakapërcyeshme, por kjo fanellë gjithmonë i shpërblen ata që e mbrojnë me përulësi, përkushtim dhe dashuri. Mbani kokën lart, vazhdoni të luftoni dhe mos lejoni që një humbje e vetme t’ju heqë ëndrrën. Jam i sigurt se kapitulli tjetër i historisë sonë ju përket juve”.
“Sot i them lamtumirë ekipit kombëtar të Argjentinës, por me krenari të pakufishme që kam përfaqësuar vendin tim. Titujt mbeten në histori, por dashuria për këto ngjyra zgjat një jetë”.
“Faleminderit, Argjentinë. Faleminderit që më lejove të përmbush ëndrrën time – të bëhem kampion bote dhe të vesh fanellën më të bukur në botë”.
“Lamtumirë, ekipi kombëtar”, përfundoi Otamendi shkrimin në Instagram.
Ndryshe, Otamendi debutoi për ekipin kombëtar të Argjentinës në maj të vitit 2009 dhe që atëherë ka luajtur 139 ndeshje, duke shënuar 8 gola dhe duke dhënë 3 asistime.
Sa i përket paraqitjeve për ekipin kombëtar të Argjentinës, Otamendi aktualisht renditet i pesti, vetëm pas Lionel Messit, Javier Mascheranos, Angel Di Marias dhe Javier Zanettit.
Me ekipin kombëtar, Otamendi fitoi Kupën e Botës 2022, ishte finalist në turneun aktual dhe gjithashtu fitoi dy herë Kupën e Amerikës.


