Zaev kërkon falje publike nga VMRO-DPMNE dhe paralajmëron padi: Mjaft me gënjeshtra dhe shpifje

Nga B.M
694 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Strumicë, 8 shkurt – Ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka reaguar përmes një statusi në Facebook, duke kërkuar falje publike nga VMRO-DPMNE dhe deputeti Petrushevski për, siç thotë ai, gënjeshtra, shpifje dhe fyerje të vazhdueshme ndaj tij. Zaev paralajmëron se nëse nuk ka kërkim-falje brenda afatit ligjor, do të ngritë padi për të mbrojtur emrin dhe reputacionin e tij.

Statusi i plotë në facebook:

Demant ndaj gënjeshtrave të VMRO-DPMNE-së. Prej pesë vitesh jam jashtë politikës, pasi kam dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet politike dhe shtetërore. Pesë vjet, pothuajse çdo ditë që nga largimi im, partia VMRO-DPMNE, udhëheqja e saj, zëdhënësit dhe mediat e afërta me ta nuk kanë reshtur së u marrë me mua, duke përhapur vazhdimisht gënjeshtra, shpifje dhe fyerje.

Kërkoj publikisht falje nga deputeti Petrushevski dhe nga partia VMRO-DPMNE për të gjitha këto gënjeshtra, shpifje dhe fyerje, përfshirë edhe keqpërdorimin e qëllimshëm të emrit tim në atë dramë të inskenuar rreth konfiskimit të dhjetëra tonëve kanabis mjekësor, për shkak të gjoja ruajtjes dhe magazinimit të papërshtatshëm.
Është një gënjeshtër e paturpshme se jam i lidhur në çfarëdo mënyre me rastet e kanabisit që u prezantuan para opinionit publik.

Është një gënjeshtër e paturpshme dhe e pacipë se kam telefonuar në Drejtorinë e Doganave.

Pa asnjë ndjenjë turpi, po aq të neveritshme janë edhe gënjeshtrat e tjera për mua, të cilat i përsërisin pothuajse çdo ditë që nga tërheqja ime nga politika, e veçanërisht në këto gati dy vite sa janë në pushtet, si ajo se po ndërtoj gjoja rrokaqiej prej 40 katesh në Dubai, se po ushtroj presion për blerjen e spitalit të dr. Zhan Mitrevit, se po ndërhyj në punën e organeve të drejtësisë dhe institucioneve të tjera, si dhe një sërë trillimesh dhe konstruktesh të tjera.

Prej pesë vitesh po duroj fyerje të përditshme. Të gjithë e dinë se kurrë nuk kam dashur të padis, kam luftuar për lirinë e shprehjes. Nuk iu jam hakmarrë askujt për atë që më bënë më 27 prill në Kuvend, kurrë nuk e kam keqpërdorur pozitën politike, por tani mjaft është!

Nëse nuk kërkojnë falje brenda afatit të paraparë ligjor, do të parashtroj padi kundër Petrushevskit dhe VMRO-DPMNE-së. Do të luftoj me të gjitha mjetet ligjore për ta hequr këtë njollë nga emri im.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër