Prishtinë, 06 tetor, Zhurnal.mk – Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar qasjen politike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se stabiliteti institucional nuk është, sipas tij, opsion politik për Kurtin.
Në një postim në rrjetet sociale, Zemaj ka deklaruar se ata që kanë besuar se kjo qasje do të ndryshojë, “herët a vonë” janë përballur me të kundërtën.
“Albin Kurti nuk e sheh stabilitetin institucional si opsion politik”, ka shkruar Zemaj.
Ai ka pretenduar se edhe në rastet kur ka dakordim politik, sipas tij, “shfaqin një kauzë të re, një mashtrim të ri”, ndërsa përgjegjësia për krizën institucionale tentohet t’i atribuohet palës tjetër.
“Jo sepse faktet janë të tilla, por sepse propaganda politike e tyre ushqehet në atë mënyrë”, ka shkruar deputeti i LDK-së.
Zemaj ka thënë se për këtë arsye, kriza institucionale mbetet, sipas tij, një opsion i vazhdueshëm i Kurtit.
“Krejt ata që besojnë në bashkëpunim me të, do t’u dalë gabim; për ta, je i mirë vetëm i nënshtruar”, ka deklaruar ai.
Zemaj ka theksuar se LDK-ja, sipas tij, nuk pranon të nënshtrohet ndaj askujt.
“E fatmirësisht, LDK-ja nuk nënshtrohet ndaj askujt, as nuk është nënshtruar kurrë”, ka shtuar Zemaj.
