Janevska: Arsimi dual po jep rezultate, por nevojitet lidhje më e fortë e kompanive me shkencën

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 6 tetor, Zhurnal.mk – Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, vlerësoi se harmonizimi mes nevojave të sektorit privat dhe sistemit arsimor është një proces kompleks, duke i përmendur si sfida kryesore lëvizjet demografike dhe migracionin, si dhe mungesën e fuqisë punëtore.

Në panelin e sotëm të organizuar nga Banka Botërore, Janevska theksoi se shteti po ndërmerr masa për të zvogëluar hendekun mes njohurive dhe aftësive të nxënësve e studentëve dhe kërkesave të tregut të punës.

“Historia e mirë dhe e suksesshme është arsimi i mesëm profesional në Maqedoni, ku kemi rritje të paralelëve duale, mësim përmes punës. Kompanitë janë të kënaqura me praninë e këtyre nxënësve, shumica e të cilëve pas vazhdimit të arsimit mbeten në kompani”, tha Janevska.

Ajo shtoi se në dy vitet e fundit janë hapur rreth 70 çerdhe të reja për përfshirje më të madhe të fëmijëve në arsimin parashkollor, ndërsa nga viti i kaluar për herë të parë janë futur këshilltarë të karrierës në arsimin fillor dhe të mesëm.

Sa i përket harmonizimit të programeve arsimore me nevojat e tregut të punës, ministrja theksoi se ndryshimet në plan-programet tashmë janë bërë në arsimin fillor dhe të mesëm.

“Çfarë duhet të bëhet më tej është t’i kushtohet vëmendje specializimit të zgjuar, ku kompanitë duhet të orientohen, sepse kjo është një strategji që duhet të nxisë rritjen ekonomike në Maqedoni”, tha Janevska.

Sipas saj, sfida më e madhe mbetet lidhja e dobët mes kompanive dhe institucioneve të arsimit të lartë e kërkimit shkencor.

“Kjo duhet të forcohet seriozisht – kompanitë të lidhen me institucionet e arsimit të lartë dhe shkencës, që së bashku të prodhojnë një produkt ose inovacion që do të sjellë të ardhura. Këtu e shoh hendekun më të madh dhe mendoj se në këtë drejtim duhet të fokusohemi në vitet e ardhshme”, tha ministrja.

Janevska theksoi se përmirësimi i gjendjes në tregun e punës nuk varet vetëm nga arsimi, por edhe nga sundimi i ligjit, qëndrimi i punëdhënësve ndaj të punësuarve dhe kushtet që ofrojnë kompanitë. Sipas saj, zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i kushteve të punës do të kontribuojnë në mbajtjen më të madhe të fuqisë punëtore në vend.

“Duhet të shtoj se jo gjithçka varet nga arsimi, pavarësisht se shteti e ka prioritet. Sundimi i ligjit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, qëndrimi i kompanive ndaj punëtorëve – si në shtetërore ashtu edhe në private – përfitimet që marrin punëtorët, fitimi që synojnë pronarët e kompanive. Më la përshtypje edhe fakti që gratë kanë një periudhë më të shkurtër pune në një përqindje të caktuar. Në një vend me të ardhura mesatare kjo është e kuptueshme. Kjo do të ndryshojë kur të bëhemi vend më i zhvilluar. Gratë duhet të kujdesen për fëmijët dhe të moshuarit në një periudhë të caktuar të jetës. Me kalimin e kohës kjo do të ndryshojë, por kompanitë duhet të ofrojnë lehtësira të caktuara”, deklaroi ministrja Janevska.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër