Zemërimi dhe Protesta në Prishtinë vazhdon, drejtësi për Arlindën dhe të gjitha gratë e vrara

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë të ditur se Protesta Kombëtare në Prishtinë do të vazhdojë sot në orën 17:00, për të kërkuar drejtësi për Arlindën dhe për të gjitha gratë e vrara.

Duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive, Kolektivi paralajmëron se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.

“Do t’i mbushim rrugët dhe sheshet e do t’i bllokojmë institucionet deri kur çdo kërkesë e jona të plotësohet. Zëri ynë do të dëgjohet. Shteti do të japë llogari,” thuhet në njoftimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Protestuesit do të mblidhen në Sheshin “Zahir Pajaziti”, prej nga do të marshojnë drejt Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ndryshe, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor, ndërsa bashkëshorti i saj po mbahej në ndalim për kanosje ndaj saj. Vrasja e saj, e cila ndodhi pavarësisht thirrjeve të saj të vazhdueshme për mbrojtje, ka nxitur zemërim të madh në Kosovë.

Bazuar në gjetjet e raportit për trajtimin institucional të rastit “Arlinda Zekaj”, janë pezulluar 19 zyrtarë policorë, përfshirë Drejtorin rajonal të Policisë në Pejë, shefin e Hetimeve Rajonale, komandantin dhe zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë nga zinxhiri komandues dhe sektori i hetimeve.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka liruar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gazmend Hoxha, pasi ka pranuar kërkesën e tij për dorëheqje.

Arlinda Zekaj është gruaja e tetë që është vrarë gjatë këtij viti.

artikuj të ndërlidhura