Zgjedhjet e parakohshme në pikëpyetje/ Rregullat e reja zgjedhore mbeten të bllokuara

Nga Xh M
661 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 21 gusht Zhurnal.mk – Pa ndryshime, me rregullat e vjetra zgjedhore dhe me mundësinë që partitë të mbeten pa financim shtetëror për fushatat, është situata në të cilën mund të pritet vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Ky është skenari që mund të pasojë nëse koalicioni qeverisës vendos t’i pranojë kërkesat e opozitës, BDI-së dhe Levicës, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe injoron kundërshtimin e LSDM-së, pas ofertës që opozita të vendosë nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ndërsa në opinion po rritet atmosfera për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, njëkohësisht nuk ka paralajmërime se do të ketë përpjekje për përcaktimin e rregullave të reja zgjedhore. Kjo procedurë është bllokuar në Kuvendin e Maqedonisë me rreth 13.000 amendamente të dorëzuara.

Deputetët e Kuvendit maqedonas të hënën do të kthehen në punë, ndërsa seanca e parë i pret më 2 shtator. Megjithatë, agjenda parlamentare nuk parashikon rikthimin te tema e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, të cilat janë ndalur në fazën e parë – në shqyrtimin në Komisionin për Sistem Politik, me amendamentet e dorëzuara nga LSDM-ja dhe Levica.

“Ky Kod Zgjedhor ka hasur në kundërshtime nga disa palë. Çfarë do të ndodhë nga e hëna, nuk do të dija të them. Se duhet të miratohet një kod i ri zgjedhor, duhet, por ai miratohet me konsensus”, deklaroi sot Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të partisë në pushtet, VMRO-DPMNE.

Dihet se kjo parti këmbëngul vetëm për ndryshimin me të cilin në zgjedhjet e ardhshme bashkatdhetarëve jashtë vendit do t’u mundësohej votimi elektronik në zgjedhjet parlamentare.

Por kjo është e papranueshme për opozitën, LSDM-në, e cila kërkon heqjen e kësaj mundësie dhe pranimin e kërkesave të saj lidhur me shënimin e vullnetit të votuesit në fletën e votimit dhe të drejtën e KSHZ-së për të shqyrtuar të gjithë materialin zgjedhor.

Lëvizja nga këto pozicione duket e vështirë. Këtë e konfirmoi edhe lideri i socialdemokratëve opozitarë, Venko Filipçe, në konferencën për shtyp të pardjeshme. Ai është i gatshëm të japë pëlqimin vetëm për ndryshimet e propozuara nga OSBE/ODIHR, por duhet që edhe koalicioni qeverisës ta pranojë një gjë të tillë.

Në një situatë të tillë, kur vështirë mund të pritet marrëveshje për rregulla të reja zgjedhore, shtrohet edhe pyetja nëse do të ndryshohen rregullat ekzistuese.

Gjykata Kushtetuese, pas pushimit veror, tashmë e kompletuar me anëtarin e tetë, së shpejti do të marrë vendim për nenin e kontestuar të Kodit Zgjedhor, i cili parashikon financim shtetëror të fushatave zgjedhore për parti të caktuara.

Dihet se gjyqtarët kushtetues kanë nisur procedurë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitës sipas së cilës dy partitë më të mëdha – njëra nga pushteti dhe tjetra nga opozita – marrin më shumë kohë mediatike dhe më shumë para për fushatën zgjedhore, ndërsa partitë e tjera parlamentare përjashtohen plotësisht.

Propozimi i gjyqtarit raportues është që dispozita e kontestuar të shfuqizohet. Nëse shumica e gjyqtarëve e mbështet këtë propozim, kjo do të nënkuptojë se partitë nuk do të marrin më para shtetërore për fushatat.

Pra, do të jetë e nevojshme të përcaktohet dhe të miratohet një dispozitë e re ligjore, e cila tashmë është pjesë e ndryshimeve të bllokuara në Kuvend.

Nëse nuk arrihet kompromis për këtë çështje, do të krijohet një situatë e re në të cilën partitë do të duhet vetë të sigurojnë fondet e mëdha financiare që kërkohen për zhvillimin e fushatave zgjedhore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër