Komisioni Rregullator miratoi sot udhëzuesin e punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.
Udhëzuesi i punës për Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor i miratuar me 5 vota pro, ka për qëllim të detajojë detyrat dhe mënyrën e funksionimit të KZAZ-së gjatë procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve për Zonën e Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore.
Ky udhëzues iu vjen në ndihmë trajnerëve të administratës zgjedhore për zhvillimin e trajnimeve me anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor.
Ai synon të sigurojë që çdo fazë e procesit zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt, transparente dhe të besueshme, duke garantuar respektimin e ligjit dhe të drejtën e qytetarëve për përfaqësim.
Në udhëzues shpjegohet përbërja e KZAZ-ve, procedurat për emërimin, shkarkimin dhe plotësimin e vakancave të anëtarëve dhe sekretarëve, si dhe mënyra e organizimit të mbledhjeve dhe marrjes së vendimeve.
Gjithashtu, përshkruhen detyrat e KZAZ-ve lidhur me regjistrimin dhe verifikimin e kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshill bashkiak, qoftë të propozuar nga partitë, koalicionet apo nga vetë zgjedhësit.
Udhëzuesi trajton edhe organizimin e qendrave të votimit dhe të grupeve të numërimit të votave, shpërndarjen e materialeve zgjedhore dhe akreditimin e vëzhguesve, duke sqaruar të drejtat dhe detyrat e tyre.
Përmes këtij udhëzuesi, synohet krijimi i një standardi uniform dhe të qartë për funksionimin e KZAZ-ve në të gjithë vendin, duke forcuar besueshmërinë dhe transparencën e procesit zgjedhor dhe duke lehtësuar koordinimin midis KZAZ-së, KQZ-së dhe njësive të tjera të administratës zgjedhore.
