Zhernovski: Nuk ka para, nuk ka rezultate prandaj Mickoski nxiton drejt zgjedhjeve

Nga I.A
727 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 12 qershor, Zhurnal.mk – Hristijan Mickoski sërish e demantoi vetveten. Pas muajsh të tëra duke pohuar se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, tani paralajmëron se zgjedhjet do të jenë “shumë shpejt”. Kjo është edhe një dëshmi se fjala e Mickoskit nuk vlen asgjë. Tek Mickoski gjithçka është gënjeshtër, tha Andrej Zhernovski – sekretar për bashkëpunim ndërkombëtar i LSDM-së, në një konferencë për shtyp. Ai shtoi se opozita nuk do t’i shërbejë si alibi Mickoskit për shpalljen e zgjedhjeve.

Sipas Zhernovskit, Mickoski dëshiron t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme për të fshehur arkën e zbrazur të shtetit, e cila është boshatisur përmes tenderëve dhe grabitjeve, si dhe për të mbuluar premtimet e parealizuara para qytetarëve, gjendjen katastrofale ekonomike dhe varfërinë në rritje. “E vërteta është e thjeshtë: nuk ka para, nuk ka rezultate, dhe gënjeshtrat e Mickoskit nuk kalojnë më,” theksoi ai.

Pas dy vitesh qeverisje të Mickoskit, Maqedonia përballet me probleme serioze ekonomike. Standardi i jetesës është ulur, pagat nuk e ndjekin rritjen e çmimeve, varfëria është rritur me 22%. Investimet e huaja kanë pësuar rënie dramatike mbi 60%, ndërsa ekonomia po shkon drejt tatëpjetës. Bujqësia është lënë pas dore, subvencionet janë ulur me 40 milionë euro, ndërsa blerja e prodhimeve është zvogëluar me 46%.

Zhernovski shtoi se të rinjtë po e braktisin masivisht vendin për shkak të mungesës së perspektivës, ndërsa mbështetja për qeverinë po bie çdo ditë. Ai paralajmëroi se Mickoski po ndjek një “skenar copy-paste” nga rajoni, duke përmendur rënien e Orbanit dhe paralajmërimet për zgjedhje në Serbi. “Pas Orbanit, vjen Vuçiç, e më pas Mickoski. Organizata kriminale bie si domino,” tha ai.

Sipas tij, VMRO dhe Mickoski publikojnë rezultate të porositura nga sondazhet, njësoj siç bënte Orban në Hungari, por realiteti është krejt tjetër. “Kur nuk ka rezultate, mburren me shifra të rreme. I njëjti parim, e njëjta shkollë,” tha Zhernovski, duke shtuar se zgjedhjet do të ketë, por Mickoski nuk do të mund të shpëtojë as veten e as grupin e tij që ka shkatërruar shtetin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër