11 janari është data e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat ku nuk u arrit censusi

nga Xh M

Gostivar, 13 nëntor – Partitë po bëjnë kalkulimet brenda partiake, për datën dhe mënyrën se si do të garojnë në zgjedhjet e përsëritura lokale, në katër komunat ku nuk u arrit censusi. Sipas numrit një të Kuvendit, Afrim Gashi, data më e pranueshme është 11 janari, por po bëhen konsultime përpara se të bëhet shpallja nga ana e tij.

“Data më e pranueshme do të ishte 11 janari, por jam në konsultime e sipër, që të kemi dakordancë dhe njëkohësisht të jemi brenda afateve ligjore për organizimin e zgjedhjeve“, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Edhe krerët e VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së thonë se këto çështje tashmë po diskutohen brenda partive, duke mos precizuar data.

“Po e hapëm atë temë dhe është logjike që do të flasim për atë temë”, tha Hristijan Micskoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

“Do të debatojmë edhe për atë në mbledhje sonte”, u shpreh Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Edhe brenda koalicionit VLEN po bëhen analiza të rezultateve, nga atje nuk e përjashtojnë mundësinë që në zgjedhjet e përsëritura të shkojë me kandidatë të rinj. Nga VLEN nënvizojnë se më e rëndësishme se emrat, është paraqitja e kandidaturave që do të sigurojnë fitore dhe përfaqësim dinjitoz të vullnetit të qytetarëve.

“Sa u përket kandidatëve, vendimi do të merret në organet e koalicionit pasi të përfundojë analiza e rezultateve dhe konsultimet me strukturat tona lokale. Për ne, më e rëndësishme se emrat është të paraqesim kandidatura që sigurojnë fitore dhe përfaqësojnë në mënyrë dinjitoze vullnetin e qytetarëve”, thonë nga VLEN.

AKI kërkon që zgjedhjet e përsëritura lokale të mbahen më së voni deri në fund të dhjetorit. Halil Snopçe tha se në zgjedhjet e përsëritura në katër komunat mbeten në koalicion me AKI-në si dhe se do të kenë kandidatë të përbashkët. Qëndrimi i tij është që zgjedhjet të përsëriten me ish kandidatët, të cilët tashmë janë promovuar.

“Pse KSHZ-ja priti deri dje, përse për këto katër komuna rezultatet nuk u shpallën më herët… A ishte ky vonim i qëllimshëm dhe i koordinuar me qeverinë, për të shmangur periudhën kur mërgimtarët ndodhen në vendlindje, sepse me këtë afat duket qartë se qëllimi është që zgjedhjet të mbahen më 11 janar, vetëm pak ditë pasi mërgimtarët janë kthyer në vendet ku jetojnë e punojnë… Data e mbajtjes së zgjedhjeve në Gostivar dhe në tre komunat tjera, duhet të jetë më së voni deri në fund të dhjetorit“, tha Halil Snopçe, AKI.

Zgjedhjet do të mbahen në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë Rostushë dhe Qendër Zhupë. /Alsat.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More