17 të vdekur nga rrëzimi i një avioni në Republikën Demokratike të Kongos

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kongo, 26 shtator Zhurnal.mk – Të paktën 17 persona, mes tyre dy gjeneralë të ushtrisë, kanë humbur jetën në rrëzimin e një avioni të premten në jugperëndim të Republikës Demokratike të Kongos, njoftuan autoritetet të shtunën, transmeton Anadolu.

Aksidenti ka ndodhur në Kenge, kryeqytetin e provincës Kwango.

“Ndryshe nga bilanci fillestar prej 13 viktimash, zbuluam 16 trupa të rriturish dhe trupin e një foshnjeje, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 17”, u tha gazetarëve në Kenge Remy Saki, zëvendësguvernatori i Kwangos.

Sipas Sakit, avioni i vogël i operuar nga kompania Tracep u ishte nisur nga aeroporti i Kikwit në orën 13:50 me destinacion Kinshasën, kur është rrëzuar rreth orës 14:05 sipas kohës lokale dhe mori flakë.

Ai shpjegoi se bilanci është rishikuar pasi është vënë nën kontroll zjarri në rrënojat e avionit.

Mes viktimave ishin edhe dy gjeneralë të ushtrisë, të cilët po udhëtonin në një mision zyrtar: gjeneral-lejtnant Joseph Mutombo, presidenti i parë i Gjykatës së Lartë Ushtarake, dhe gjeneral-lejtnant Lucien-Rene Likulia, auditori i përgjithshëm i ushtrisë, njoftoi ushtria në një deklaratë.

Në një postim në platformën sociale amerikane X, zyra e presidentit tha se presidenti Felix Tshisekedi ka udhëzuar autoritetet kompetente të zhvillojnë një hetim të plotë për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta të aksidentit.

Presidenti shprehu “ngushëllimet e tij më të sinqerta dhe më të thella për familjet dhe të afërmit e viktimave, si dhe për të gjitha forcat e sigurisë”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër