Doha, 22 qershor, Zhurnal.mk – Të paktën 18 pesona rezultojnë të zhdukur dhe 54 të tjerë u plagosën u pas një shpërthimi në kompleksin e madh të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Ras Laffan të Katarit, gjatë rifillimit të operacioneve që ishin ndërprerë pas sulmeve iraniane të muajit mars, sipas Reuters.
Sipas autoriteteve katariote, shpërthimi ndodhi në impiantin e furnizimit me gaz Barzan dhe u shkaktua nga një “aksident teknik”.
Autoritetet theksuan se nuk ka rrezik për sigurinë publike.
Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa u ndje edhe në qendër të Dohas, më shumë se 70 kilometra larg, duke shkaktuar panik te banorët.
Ministria e Brendshme e Katarit njoftoi se ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë, ndërsa zjarri u vu nën kontroll.
Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për gjetjen e 18 personave të zhdukur.
Kompania shtetërore “QatarEnergy” nuk dha detaje nëse shpërthimi ka shkaktuar dëme në impiant.
Objekti “Barzan” furnizon me gaz industrinë vendase dhe sektorin energjetik të vendit, si dhe prodhon etan, kondensat, gaz të lëngshëm të naftës (LPG) dhe squfur për tregun vendas dhe eksport.
Kompleksi ndodhet në “Ras Laffan Industrial City”, qendra kryesore e prodhimit dhe eksportit të LNG-së në Katar, me kapacitet vjetor prej 77 milionë tonësh.
Në mars, dy njësi kryesore të përpunimit të gazit në Ras Laffan u goditën nga raketa iraniane, duke ulur me rreth 17% kapacitetin eksportues të LNG-së së Katarit. Sipas drejtuesve të “QatarEnergy”, riparimi i plotë i dëmeve mund të zgjasë nga tre deri në pesë vjet.
Konflikti me Iranin dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit kanë goditur rëndë eksportet e gazit të Katarit, pasi vendi nuk ka rrugë alternative për dërgesat e LNG-së drejt tregjeve ndërkombëtare.
