Obuergen, 22 qershor, Zhurnal.mk – Bisedimet e nivelit të lartë mes SHBA-së dhe Iranit në Zvicër përfunduan sot me një marrëveshje për krijimin e një mekanizmi të posaçëm koordinimi “qelizë dekonfliktuale” për Libanin, ndërsa palët nisën një proces diplomatik 60-ditor, që synon arritjen e një marrëveshjeje të përhershme, për përfundimin e konfliktit, raportoi AP.
Mekanizmi, i ndërmjetësuar nga Pakistani dhe Katari, do të përfshijë edhe qeverinë libaneze dhe synon mbikëqyrjen e zbatimit të armëpushimit në Liban.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo do të ndalojë përplasjet mes Hezbollahut dhe Izraelit.
Bisedimet nisën me tensione pasi presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi Iranin me sulme të reja nëse nuk frenon grupet aleate në Liban.
Nga ana tjetër, negociatori iranian Mohammad Bagher Qalibaf deklaroi se forcat iraniane janë të gatshme të përgjigjen ndaj çdo kërcënimi.
Delegacionet amerikane dhe iraniane zhvilluan një takim rreth 80-minutësh, ndërsa negociatat teknike do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, në Zvicër.
Një nga çështjet kryesore mbetet programi bërthamor iranian. SHBA-ja kërkon kufizime të qarta mbi aktivitetet bërthamore të Teheranit, ndërsa Irani këmbëngul se nuk do të heqë dorë nga e drejta për pasurimin e uraniumit.
Marrëveshja paraprake parashikon lehtësimin e disa sanksioneve ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe mundësinë që Teherani të ketë qasje në asetet e ngrira, me vlerë miliarda dollarë.
Gjithashtu, Irani pritet të reduktojë rezervat e uraniumit të pasuruar.
Në të njëjtën kohë, Irani vazhdon të pretendojë se ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të energjisë, ndërsa SHBA-ja thotë se trafiku detar po vazhdon normalisht.
Marrëveshja ka shkaktuar debate edhe brenda Partisë Republikane, ku disa konservatorë e kanë krahasuar atë, me marrëveshjen bërthamore të epokës së presidentit Barack Obama.
Ndërkohë, pas njoftimit të saj, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare ranë me afro 8%.
