27 vjet pa Ukshin Hotin, Andin Hoti: Në vend të rehatisë, Babai im zgjodhi rrugën e sakrificës

Nga Xh M
522 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 17 maj Zhurnal.mk – Djali i veprimtarit dhe intelektualit shqiptar Ukshin Hoti, Andin Hoti, ka kujtuar babanë e tij në 27-vjetorin e zhdukjes, përmes një mesazhi emocional ku flet për mungesën, dhimbjen dhe krenarinë që familja vazhdon ta mbajë gjallë ndër vite.

Ai shkruan se mungesa e Ukshin Hotit mbetet një boshllëk që nuk mbushet kurrë, ndërsa dhimbjen familja e ka mësuar ta mbajë në heshtje, duke jetuar çdo ditë me mallin për të.

Sipas Andin Hotit, kujtimi për babanë rikthehet vazhdimisht përmes njerëzve të ndryshëm që flasin me respekt për figurën dhe kontributin e tij në çështjen kombëtare shqiptare.

“Ndjehu krenar me babanë tënd. Profesori Ukshin Hoti na ka frymëzuar ta luftojmë dhe ta mposhtim Serbinë”, citoi ai disa nga fjalët që dëgjon shpesh nga profesorë, ish-të burgosur politikë, ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtarë e qytetarë shqiptarë nga të gjitha trojet.

Në mesazhin e tij, Andin Hoti theksoi se Ukshin Hoti “ishte i popullit dhe me popullin”, duke shtuar se ai jetoi për lirinë, atdheun dhe shqiptarinë, ndërsa fatin e tij e lidhi me fatin e popullit shqiptar.

“Në vend të rehatisë zgjodhi rrugën e sakrificës”, përfundon reagimi i tij.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër