Akuza për diskriminim ndaj Gjuhës shqipe, MASH ndan bursa vetëm për Gjuhën maqedonase, thonë nga ASH-ja

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 maj Zhurnal.mk – Ministria për Arsim dhe Shkencë është vënë në qendër të kritikave pas shpalljes së një thirrjeje për ndarjen e bursave vetëm për studentët e katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Maqedonase.

Sipas njoftimit të publikuar në universitetet publike dhe private, përfshirë edhe Universiteti i Tetovës, ministria do të ndajë 15 bursa për studentët që regjistrohen në vitin e parë në këtë drejtim studimor.

Megjithatë, bursa të ngjashme nuk janë paraparë për studentët e Gjuhës Shqipe, ndërsa deri më tani nuk është dhënë ndonjë sqarim publik lidhur me këtë dallim.

Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga Ziadin Sela, e ka cilësuar vendimin si diskriminues dhe racist, duke kërkuar tërheqjen dhe korrigjimin e tij.

Nga kjo parti thonë se nëse shteti mbështet studimet gjuhësore, atëherë mbështetja duhet të vlejë për të gjitha gjuhët dhe komunitetet etnike në mënyrë të barabartë, e jo vetëm për gjuhën maqedonase.

Sipas Aleancës për Shqiptarët, ky vendim është vazhdim i, siç thonë ata, “qasjes kundër Gjuhës Shqipe”, duke përmendur edhe debatet e mëhershme për përdorimin e gjuhës shqipe dhe iniciativat për ndryshime në Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

artikuj të ndërlidhura