27 – vjetori i çlirimit, organizohet konferencë shkencore për ruajtjen e kujtesës historike

Nga D. V.
563 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 04 qershor, Zhurnal.mk – Instituti Albanologjik në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri” dhe Universitetin Shtetëror të Tetovës, kanë organizuar konferencën shkencore “Përjetësimi i Heronjve dhe Dëshmorëve kombëtarë për çështjen e Kosovës”, raporton Ekonomia Online.

Kjo konferencë u organizua për nder të 27 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Hajrullah Çeku ministër në detyrë i Arsimit dhe Shkencës tha se periudha e viteve 1980-1999 përfaqëson kohën e rezistencës së vazhdueshme të Kosovës gjatë kohës së okupimit.

“Periudha 1980-1999 përfaqëson një kapitull të veçantë të historisë sonë moderne. Ajo ishte një kohë e rezistencës së vazhdueshme, e organizimit politik e qytetar, e qëndresës kulturore dhe intelektuale, por edhe e sakrificës sublime të atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit. Kjo periudhë nuk mund të kuptohet vetëm përmes ngjarjeve si momente të shkëputura, ajo duhet të kuptohet si një proces i gjerë shoqëror ku breza të tërë qytetarësh kontribuuan në forma të ndryshme për idealin e lirisë.

Prandaj, përgjegjësia jonë institucionale nuk përfundon me nderimin ceremonial të heronjve dhe dëshmorëve, ajo fillon pikërisht aty. Kujtesa kolektive nuk mbahet gjallë vetëm me monumente, por edhe me dije. Nuk ruhet vetëm me përkujtimore, por edhe me kërkim shkencor, me dokumentim, me arsimim dhe me kulturë. Për këtë arsye, universitetet, institutet shkencore, shkollat, arkivat, bibliotekat dhe muzetë kanë një rol të pazëvendësueshëm”, tha Çeku.

Çeku tha se është detyrë e institucioneve që të ruhen dëshmitë dhe faktet që historia të përcillet tek brezat e rinjë.

“Detyra jonë është që faktet historike të hulumtohen me seriozitet akademik, dëshmitë të ruhen me kujdes institucional dhe historia të përcillet tek brezat e rinj me përgjegjësi profesionale dhe qytetare. Në këtë drejtim, arsimi ka një mision të veçantë. Nxënësit dhe studentët tanë duhet të kenë mundësi ta njohin historinë e Kosovës, jo si një rrëfim të largët, por si një përvojë njerëzore dhe shoqërore që ka formësuar shtetin dhe lirinë që gëzojmë sot. Kjo kërkon hulumtime cilësore, dokumentim, botime shkencore, projekte muzeale, ekspozita, programe edukative dhe bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të arsimit dhe kulturës”, tha Çeku.

Ndërsa, Teuta Shala -Peli drejtoreshë e Institutit të Historisë “Ali Hadri” ka treguar aktivitetet që do të organizojnë në kuadër të shënimit të 27 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

“Në kuadër të aktiviteteve që Instituti i Historisë “Ali Hadri“ ka organizuar këtë vit për nder të 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës, dje u mbajt ekspozita “Rezistenca në Kosovë 1980–1999 përmes shtypit të fshehtë“, e cila solli para publikut një pjesë të rëndësishme të dokumentimit të rezistencës sonë kombëtare. Ndërkaq sot dhe nesër po zhvillojmë këtë konferencë dyditore, e cila mbledh studiues nga të gjitha hapësirat shqiptare, për të trajtuar tema që lidhen me përjetësimin e heronjve dhe dëshmorëve të kombit dhe me rëndësinë e ruajtjes së vlerave të luftës për liri”, tha ajo.

“Aktivitetet tona do të vazhdojnë edhe më 6 qershor, ku do të realizojmë vizita në komplekset memoriale kushtuar heronjve dhe dëshmorëve të luftës së fundit në Kosovë, si shenjë respekti dhe përulje ndaj sakrificës së tyre. Po ashtu, më 12 qershor, në bashkëpunim me Bashkinë e Kukësit, Instituti i Historisë do të organizojë një tryezë shkencore kushtuar 27-vjetorit të eksodit të vitit 1999, për të rikujtuar një nga periudhat më të dhimbshme, por edhe më domethënëse të historisë sonë të afërt”, tha ajo.

Kurse, Arbër Hadri, sekretar shkencor në Institutin “Ali Hadri”, tha se për popullin shqiptar në Kosovë, liria ishte drita që ndriçonte edhe në kohët më të errëta të shtypjes.

“Liria nuk është vetëm mungesë e robërisë, ajo është dinjitet, identitet, e drejta për të jetuar, për të folur gjuhën tënde, për të ruajtur kulturën, historinë dhe të ardhmen tënde. Pikërisht për këtë, rruga drejt saj ka qenë e gjatë dhe e mbushur me sakrifica të panumërta. Për popullin shqiptar në Kosovë, liria ishte drita që ndriçonte edhe në kohët më të errëta të shtypjes, ishte forca që mbajti gjallë shpresën në burgje, në mërgim, në demonstrata dhe në fushën e betejës. Për hir të saj, mijëra dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lanë familjet, ëndrrat dhe jetën e tyre duke zgjedhur të bëhen pjesë e përjetësisë së kombit shqiptar. Gjaku i tyre u derdh për tokën e Kosovës, për të drejtën e një populli që të jetojë i lirë në vendin e vet. Çdo herë që shqiptojmë fjalën liri, në të jetojnë zërat e atyre që nuk kursyen asgjë për ta bërë atë realitet. Në të jetojnë sakrificat sublime të heronjve e të dëshmorëve tanë, lotët e nënave, qëndresa e familjeve dhe besimi i palëkundur se një ditë Kosova do të jetonte e lirë dhe e pavarur,” tha Hadri.

Hadri potencoi se pas demonstratave të vitit 1981 regjimi serb intensifikoi masat siç tha ai represive ndaj shqiptarëve duke mbyllur institucionet të Kosovë të asaj kohe.

“Pas demonstratave të vitit 1981 dhe suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989, regjimi pushtues serb intensifikoi masat represive ndaj shqiptarëve duke shuar institucionet autonome të Kosovës, duke larguar shqiptarët nga administrata, arsimi dhe ekonomia, si dhe duke kufizuar të drejtat themelore njerëzore e kombëtare.

In këto rrethana u krijuan kushtet që krahas rezistencës politike dhe paqësore, të forcohej dhe të ngrihej ideja e organizimit të rezistencës së armatosur.

Dëshmorët e viteve të 80-ta dhe fillimit të fillimit të viteve 90-ta përfaqësojnë gjeneratën e parë të rezistencës së armatosur shqiptare kundër regjimit jugosllav, dhe duke mishëruar idealin e lirisë që më vonë do të kulmonte me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas demonstratave të vitit 1981, të cilat shënuan një kthesë vendimtare në historinë politike të Kosovës, një numër i madh veprimtarësh të çështjes kombëtare u përballën me ndjekje, burgosje, presion të vazhdueshëm dhe në disa raste edhe me likuidime”, tha Hadri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër