Tiranë/Prishtinë, 28 nëntor Zhurnal.mk – Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, vëmendja rikthehet te marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe rëndësia e bashkëpunimit mes dy shteteve. Ndonëse lidhjet historike, kulturore dhe kombëtare janë të fuqishme, raportet politike dhe institucionale vazhdojnë të ngrenë pikëpyetje për nivelin e koordinimit dhe përkushtimin ndaj interesave të përbashkëta.
Bashkëpunimi në fushën politike, ekonomike dhe diplomatike mbetet një çështje me rëndësi të veçantë, sidomos në një kohë kur të dy vendet synojnë avancimin e proceseve integruese evropiane. Megjithatë, shtrohet pyetja nëse potenciali i këtyre marrëdhënieve po shfrytëzohet mjaftueshëm dhe nëse ekziston një bashkërendim i mirëfilltë ndërmjet institucioneve të Prishtinës dhe Tiranës.
Thellimi i partneritetit ndërmjet dy shteteve kërkon hapa konkretë në rrafshin politik, ekonomik dhe diplomatik, në mënyrë që afërsia historike dhe kombëtare të shndërrohet në bashkëpunim të qëndrueshëm dhe strategjik.
Për këto çështje, publicistët Rexhep Shahu dhe Ismail Muçiqi kanë shprehur qëndrimet e tyre për gazetën “Bota sot”, duke kritikuar gjendjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe mungesën e koordinimit politik. Ata kanë vënë në pah edhe dallimin ndërmjet raporteve institucionale dhe lidhjeve kombëtare që vazhdojnë të ruhen mes qytetarëve.
Shahu: Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë janë në “dimër”, qytetarët i mbajnë gjallë lidhjet kombëtare
Publicisti Rexhep Shahu ka kritikuar mungesën e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, duke vlerësuar se marrëdhëniet mes dy qeverive karakterizohen nga një klimë e ftohtë.
Në një prononcim për “Bota sot”, Shahu ka thënë se nuk vëren bashkëpunim publik mes përfaqësuesve shtetërorë të dy vendeve, ndërsa ka theksuar se mungon edhe fryma pozitive që duhet ta përcjellë bashkërendimin ndërmjet tyre.
“Nuk shoh asnjë koordinim, asnjë bashkëpunim publik mes shtetarëve të Shqipërisë e Kosovës, nuk ndjehet asnjë emocion pozitiv që ngjall bashkëpunimi a bashkërendimi mes dy shteteve shqiptare.
Duket një klimë dimri mes dy qeverive shqiptare”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, sipas Shahut, kjo ftohje në nivel institucional nuk reflektohet në raportet mes qytetarëve të dy vendeve.
Ai ka vënë në pah se festat e nëntorit vazhdojnë të jenë dëshmi e lidhjeve kombëtare, pasi flamuri kuq e zi pushton sheshet dhe rrugët, pavarësisht klimës mes qeverive.
“Por pavarësisht këtij dimri qeveritar mes dy shteteve shqiptare, në festat e nëntorit i pushton sheshet e udhët flamuri kombëtar, flamuri kuq e zi i Skënderbeut, si për inat të qeverive.
Pavarësisht qeverive në dy vendet, Shqipëri e Kosovë, që sjellin dimër marrëdhëniesh ndërshqiptare, qytetarët mes tyre i kanë marrëdhëniet pranverë e vjeshtë bollëku”, ka potencuar Shahu.
Më tej, publicisti ka krahasuar marrëdhëniet aktuale ndërqeveritare me ato të dy shteteve që, sipas tij, i bashkon dhe i ndan vetëm kufiri, duke kritikuar mungesën e frymës së bashkëpunimit mes zyrtarëve.
“Marrëdhëniet aktuale qeveritare mes Shqipërisë e Kosovës janë si mes dy shtetesh që i bashkon e ndan kufiri dhe që zyrtarët e dy shteteve nuk kanë nevojë për përkthyes kur takohen si të huaj në zyra të huaja”, ka deklaruar ai.
Në përfundim, Shahu ka vlerësuar se mungesa e koordinimit ndërmjet dy qeverive po ndikon negativisht edhe në pozitën e çështjes shqiptare në rajon.
“Niveli i çështjes shqiptare në rajon është kuotat më të ulëta falë mungesës së koordinimit e bashkëpunimit ndërqeveritar mes Shqipërisë e Kosovës”, ka përfunduar Shahu.
Muçiqi kritikon Edi Ramën për raportet me Kosovën, vlerëson politikën e Kurtit për bashkimin e shqiptarëve
Ndërsa, publicisti Ismail Muçiqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka kritikuar gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke ia atribuuar përgjegjësinë kryesore politike kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Muçiqi ka thënë se 28 Nëntori ka një rëndësi të veçantë historike për kombin shqiptar, por ka theksuar se, pavarësisht kësaj simbolike, shqiptarët ende nuk kanë arritur të bashkohen në një shtet të vetëm.
“Simbolika e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ka hyrë përgjithmonë në historinë e kombit shqiptar. Mjerisht, padrejtësitë e fuqive të mëdha dhe defektet në organizimin e brendshëm të politikës shqiptare ndikuan që shqiptarët ende të mos arrijnë të bashkohen në një shtet të vetëm.
Gjatë historisë, kombi shqiptar ka vuajtur shumë nga pushtuesit e ndryshëm, duke pësuar dëme të mëdha fizike dhe duke mbetur jashtë agjendave të politikës dhe diplomacisë evropiane e më gjerë”, ka thënë ai.
Duke folur për raportet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, Muçiqi ka vlerësuar se bashkëpunimi mes dy vendeve nuk është në nivelin e duhur.
Sipas tij, egot personale, ambiciet për pushtet dhe mungesa e vullnetit për bashkëpunim kanë ndikuar që raportet ndërmjet dy shteteve të mos zhvillohen sipas pritshmërive.
“Mjerisht, edhe tani, kur jemi në prag të 28 Nëntorit, Ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë në nivelin e duhur të bashkëpunimit dhe të përafrimit ndërmjet dy shteteve.
Shkaktar i gjithë kësaj, padyshim, është politika e gabuar e udhëhequr nga njerëz të cilët, për shkak të egove personale, liderizmit dhe bajraktarizmit, kanë ndikuar që raportet e ndërsjella edhe sot të mbeten larg nivelit të dëshiruar”, ka cilësuar ai.
Publicisti ka qenë i drejtpërdrejtë edhe në përcaktimin e përgjegjësisë politike për këtë gjendje. Ai ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama, të cilin e konsideron përgjegjësin kryesor për dëmtimin e raporteve me Kosovën.
“Mendoj se përgjegjësinë kryesore politike për këtë gjendje e mban lideri i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, i cili, sipas vlerësimit tim, për shkak të ambicieve të tij karrieriste dhe lideriste, në vazhdimësi ka dëmtuar raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, ka theksuar Muçiqi.
Në anën tjetër, ai ka shprehur vlerësim për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se ardhja e tij në krye të Qeverisë ka ndikuar në ringjalljen dhe avancimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve në rajon.
Gjithashtu, Muçiqi ka përmendur në veçanti koordinimin me përfaqësuesit politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi.
“Për fat të mirë, ardhja në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ndikuar që marrëdhëniet dhe raportet e shqiptarëve në të gjitha trojet etnike ku jetojnë të fillojnë të ringjallen dhe të përmirësohen dukshëm. Mendoj se politika strategjike e Kurtit është në rrugë të mbarë drejt unifikimit të ideve dhe aspiratave për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm.
Mendoj se Albin Kurti ka arritur t’i koordinojë raportet me liderët politikë të Maqedonisë së Veriut, me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Kosovën Lindore, përkatësisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Po ashtu, edhe raportet e Kurtit me strukturat politike të shqiptarëve në Mal të Zi janë në avancim e sipër.
Por, më thotë mendja se koha po dëshmon se largimi i Edi Ramës nga pushteti është bërë një kërkesë dhe imperativ i kohës, në interes të të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë”, ka përfunduar Muçiqi për “Bota sot”.
