Cilat janë sfidat dhe dilemat e ofertës së re të qeverisë për banesat me zbritje për çiftet e reja?

Nga I.A
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 nëntor, Zhurnal.mk – Njoftimi i kryeministrit Hristijan Mickoski se çiftet e reja bashkëshortore deri në moshën 35 vjeç do të mund të blejnë banesa me çmim 20 për qind më të ulët se vlera mesatare e tregut paraqitet si një nga masat më ambicioze sociale dhe demografike të qeverisë aktuale. Në një kohë kur çmimet e banesave vazhdojnë të rriten, ndërsa të rinjtë po e kanë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë strehim, ideja tingëllon si një përgjigje konkrete ndaj një problemi real. Megjithatë, përtej efektit fillestar pozitiv mbetet dilema se a bëhet fjalë për një reformë që do të ndryshojë trendet afatgjata apo për një masë me efekt politik dhe social të kufizuar? shkruan Zhurnal.

Banesa me zbritje 20% për çiftet e reja

Çështja e strehimit është shndërruar prej vitesh në një nga sfidat më të mëdha për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut. Rritja e vazhdueshme e çmimeve të shtëpive e banesave, normat e kredive dhe stagnimi i të ardhurave kanë krijuar një hendek të madh mes dëshirës për të pasur një shtëpi dhe mundësisë reale për ta blerë atë. Për shumë çifte të reja, blerja e banesës vazhdon të jetë e mundur vetëm me ndihmën e familjes ose përmes kredive afatgjata që rëndojnë buxhetin familjar për dekada.

Në këtë kontekst, oferta e qeverisë synon të japë një stimul konkret. Një ulje prej 20 për qind e çmimit të tregut nuk është e papërfillshme dhe mund të ndikojë ndjeshëm në vendimin e shumë familjeve të reja për të investuar në një pronë. Për më tepër, plani për lirimin nga taksat komunale gjatë ndërtimit të shtëpive dhe gatishmëria e disa komunave për të ofruar parcela me çmim simbolik prej një euroje krijon përshtypjen se po ndërtohet një paketë më e gjerë mbështetëse.

Cilat janë dilemat e kësaj “oferte” qeveritare?

Megjithatë, pas optimizmit fillestar hapen disa dilema serioze. E para lidhet me vetë konceptin e “çmimit mesatar të tregut”. Tregu i banesave nuk është i njëjtë çmimet ndryshojnë ndjeshëm jo vetëm nga një komunë në tjetrën, por edhe brenda të njëjtës zonë. Nëse metodologjia për përcaktimin e këtij çmimi nuk është plotësisht transparente, mund të krijohen paqartësi spekulime apo edhe hapësira për abuzime.

Dilema e dytë ka të bëjë me përfshirjen sociale. Kush do të përfitojë realisht nga kjo masë? Nëse kriteri kryesor mbetet vetëm mosha deri në 35 vjeç, atëherë ekziston rreziku që ndihma të përfundojë edhe tek ata që tashmë kanë kapacitet financiar për të blerë banesë. Në anën tjetër, çiftet me të ardhura më të ulëta mund të vazhdojnë të mbesin jashtë tregut edhe me një zbritje prej 20 për qind, pasi problemi i tyre nuk është vetëm çmimi, por mungesa e mjeteve për pjesëmarrje fillestare dhe sigurimin e kredive bankare.

Nga perspektiva ekonomike, çdo ndërhyrje e shtetit në tregun e banesave sjell edhe pasoja të mundshme anësore. Nëse kërkesa rritet ndjeshëm falë subvencioneve, investitorët mund të reagojnë duke rritur çmimet, duke neutralizuar pjesërisht efektin e masës. Në vende të ndryshme evropiane janë parë raste kur ndihmat shtetërore për strehim kanë përfunduar duke favorizuar më shumë ndërtuesit sesa blerësit.

Një aspekt tjetër lidhet me krizën demografike. Qeveria duket se e sheh këtë politikë jo vetëm si masë sociale, por edhe si instrument për të nxitur të rinjtë të krijojnë familje dhe të qëndrojnë në vend. Mirëpo, emigrimi nuk shkaktohet vetëm nga mungesa e banesave. Pagat, siguria ekonomike, cilësia e arsimit dhe e shërbimeve publike mbeten faktorë po aq të rëndësishëm. Një banesë më e lirë mund të jetë motiv shtesë, por rrallëherë mjafton si arsye vendimtare për të ndaluar largimin e të rinjve.

Për qeverinë, kjo iniciativë përfaqëson një mundësi për të dëshmuar se politikat sociale mund të kalojnë nga premtimet në veprime konkrete. Por suksesi i saj nuk do të matet me numrin e konferencave për shtyp apo me miratimin e dy ligjeve në Kuvend. Ai do të matet me pyetje shumë më praktike sa çifte do të arrijnë realisht të bëhen pronarë të një shtëpie, sa i qasshëm do të jetë procesi dhe nëse masa do të ndikojë në uljen e barrës financiare pa deformuar tregun.

Megjithatë, ideja për t’u mundësuar të rinjve strehim më të përballueshëm është politikisht atraktive dhe në aspekt social e nevojshme. Por çdo politikë që prek tregun e banesave kërkon precizion, transparencë dhe mekanizma të fortë mbikëqyrjeje. Përndryshe, ajo rrezikon të mbetet një nismë me efekt afatshkurtër, ndërsa problemi i strehimit vazhdon të mbetet një nga arsyet kryesore pse shumë të rinj e shohin të ardhmen e tyre jashtë vendit. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura