Tiranë, 5 maj, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Socialiste dhe ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku mori pjesë sot në homazhet që u zhvilluan në Lushnjë me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, së bashku me ministrin e Financave, Petrit Malaj, kryebashkiaken e Lushnjës, Eriselda Sefa dhe përfaqësues të tjerë politikë e shtetërorë.
Balluku bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule pranë Monumentit të Partizanes, ndërsa theksoi se “28 mijë dëshmorët sot e përherë do të jenë udhërrëfyes se Shqipëria është vendi për të cilin duhet të punojmë dhe të jemi të bashkuar”.
“Sot përulemi me respekt dhe mirënjohje në kujtim të qindra-mijëra burrave dhe grave, vajzave dhe djemve të cilët dhanë jetën për lirinë e atdheut, për dinjitetin e vendit tonë. 28 mijë dëshmorë, të cilët sot dhe përherë do të mbeten një udhërrëfyes për sakrificën që ata bënë dhe për të na treguar një herë e mirë se Shqipëria për ne është vendi ku kemi lindur, është vendi për të cilin duhet të punojmë dhe mbi të gjitha duhet të jemi të bashkuar”, tha Balluku.
5 Maji shënon Ditën e Dëshmorëve, një datë historike përkujtimi dhe nderimi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit.
Çdo 5 maj, në Varrezat e Dëshmorëve zhvillohen homazhe si në kryeqytet, ashtu edhe në bashkitë e tjera.
