“Artisti i vërtetë nuk e ulë nivelin”, koleget artiste të Adriana Matoshit, Eliza Hoxha dhe Adelina Thaqi i dalin kundër gjuhës që ajo përdori në statusin e saj

Nga D. V.
452 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktorja e njohur, Adriana Matoshi, është përballur me kritika në rrjete sociale pas një statusi të publikuar ditë më parë në Facebook, ku komentonte zhvillimet rreth koalicioneve ndërmjet partive politike.

Në statusin e saj, Matoshi shkroi se “tash” po zyrtarizoheshin koalicionet e para mes LDK-së dhe PDK-së në Prishtinë, duke shtuar se sipas saj këto parti “kanë qenë bashkë” edhe më herët, por tani po e formalizonin këtë në mënyrë zyrtare.

Ajo e mbylli shkrimin me një gjuhë të ashpër, duke i quajtur kundërshtarët politikë “palosha”, si dhe duke bërë një krahasim me rezultatin elektoral (“jo 51, po 61%”).

Ky postim nxiti reagime edhe nga kolegë të saj të skenës artistike.

Fillimisht reagoi këngëtarja dhe arkitektja Eliza Hoxha, njëherësh ish-deputete e PDK-së, e cila e shpërndau statusin e Matoshit dhe e kritikoi gjuhën e përdorur.

“Kjo gjuhë dhe ky nivel komunikimi nga përfaqësues të zgjedhur e njëkohësisht edhe persona publik është diçka që nuk ia kisha dëshiruar askujt”, shkroi Hoxha, duke ngritur edhe një pyetje për koalicionet lokale: “Në Podujevë, në Mitrovicë, në Fushë Kosovë e gjetiu me kë jeni në koalicione? Dobët, shumë dobët për besë”.

Ndaj gjuhës së përdorur nga Matoshi duket se ka reaguar edhe deputetja e LDK-së dhe këngëtarja Adelina Thaçi Meta, e cila publikoi një shkrim në Facebook pa e përmendur emrin e askujt, por me tone kritike ndaj mënyrës së komunikimit publik.

“Ka njerëz që mbajnë titullin ‘artist’, por e përdorin zërin vetëm për të sulmuar, jo për të ndërtuar… Artisti i vërtetë nuk e ul nivelin e debatit, ai e ngre shoqërinë… Mjaft”, shkroi Thaçi Meta, duke theksuar se një përfaqësues i qytetarëve ka përgjegjësi të dyfishtë për të dhënë shembull dhe për të ndërtuar ura komunikimi.

Reagimet e dy artisteve/deputeteve kanë hapur debat në rrjete sociale rreth gjuhës në politikë dhe rolit të figurave publike në komunikimin me qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër